Nga Frrok Çupi

Fjalën ‘mbret’ e mora nga gjithë fjalori i medias botërore mbi arrestimin e djalit të El Chappos në Meksikë. ‘Të paktën 29 persona u vranë (këtë të enjte) gjatë operacionit të përgjakshëm për arrestimin e djalit të mbretit meksikan të drogës “El Chapo”, shkruan agjencia Associated Press. Nga të 29- tët, 10 prej tyre ishin ushtarë të Forcave të Armatosura, dhe 19 mes militantëve të betuar rreth ‘mbretit’ të drogës.

Anëtarët e tërbuar të bandës së El Chappos ngritën blloqe në rrugë, u vunë flakën dhjetëra automjeteve dhe sulmuan aeroplanët në një aeroport lokal. U duk sikur militantët e ‘mbretit’ të dënuar me burg të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara, i dhanë fund paqes në Meksikë dhe aty nuk do të kishte më ‘shtet dhe fuqi’ për stabilitet. Pamja vjen prej militantëve, shtresave dhe skllevërve që përfitojnë nga droga e nga korrupsioni, sidomos nga korrupsioni i madh. Frika se pas arrestimit të ‘mbretit’ militantët mund të shkatërrojnë vendin, është përhapur si një fantazmë në rajonin tonë, aq më tepër në Shqipëri.

Kudo flitet se, ndoshta nga frika e dhunës’ nuk vepron ligji… Atëherë pse nuk arrestohen ish presidentët e akuzuar nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vetë shqiptarët për ‘korrupsion të qenësishëm’, për ‘minim të shtetit të demokracisë’, dhe për shantazhim të Drejtësisë?, bëhet pyetja… Veprat penale të përmendura kanë aq peshë sa peshë ka krimi i El Chappos në Meksikë, vepër që çoi në botën tjetër rreth 4000 vetë, njëmijë më shumë se shteti i presidentit tonë në vitin 1997. Burgosja e djalit, Ovidio Guzmán-López, 32 vjeç; dhe sidomos tentativa për ta ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara, gati e dogji Qytetin dhe vetë Meksikën.

Duket sikur Tirana jeton në Mexsico, ose qyteti i madh latino- amerikan jeton këtu në Tiranë. Amerika sulmohet nga ‘grupi’ këtu, Amerika sulmohet edhe atje…,tufa me ish- ministra do të burgosen këtu; si edhe në Meksikë ‘ministrat’e mbretit të drogës…, atje ekstradime për Amerikë, projekte ekstradimi këtu… Edhe këtu, si edhe në Banja Luka, ‘mbretër’ të korrupsionit dhe të rrezikut për sigurinë e vendit kërcënojnë se ‘po na prekët, do të godasim për vdekje’.

A është real rreziku?

Për ta peshuar rrezikun, thjeshtësisht mund ta afrojmë Meksikën e El Chappos për të gjetur peshën e Sali Berishës, ose të Milorad Dodik, ose të të afërmve të Putin… Kur ishte i fuqishëm Berisha në Tiranë, Dodik ishte një nxënës shkolle në Banja Luka, atëherë modeli i Berishës në atë vend të freskët malor ishte Karaxhiç e disa të tjerë. Por kjo nuk do të thotë se rreziku peshon vetëm në njërën anë e në njërën kohë. Aq më pak në kohën e tanishme kur para botës shfaqet ‘pesha e misterit Putin’. Të gjithë këta që kanë një ‘ushtri’ pas vetes; të gjithë këta që kanë pasuri të madhe të përfituar o nga korrupsioni o nga krimi- secili syresh ka të njëjtën peshë kundër sigurisë qytetare.

Rreziku është i vërtetë, por frika është e pavërtetë.

A ishim këtu në Tiranë një vit më parë, fiks një vit e dy ditë më parë? Ishte 8 Janari 2022. Ushtria ‘meksikane’ e droguar e Sali Berishës sulmoi selinë e Partisë Demokratike, e sulmoi me të gjitha mjetet e dhunës mizore; dhe u solli fantazmën njerëzve. Qëllimi ishte për të pushtuar selinë, për të vrarë dikë ose disa, për t’i dhënë shembull njerëzimit se ‘ne të akuzuarit ju kallim frikën’.

A nuk ndodhi skena e frikës edhe në 6 dhjetor 2022, ditën kur në Tiranë zuri vend Samiti i Bashkimit Evropian mbi Ballkanin Perëndimor? Synimi ishte të kërcënohej Europa se ‘nuk ke punë këtu’. Mjeti ishte ushtria e vogël e paguar nga korrupsioni i madh dhe gjithashtu aleanca ‘e përtejme’ për të mos e lejuar Europën në Ballkan. A nuk po dëgjojmë çdo ditë militantë ‘të radhës së parë’ që kërcënojnë në podiume? ‘Kur të vijmë ne, ku do të futeni ju!?. ‘Guxoni po deshët se do t’u vijmë aty’. ‘Nëse gjykata vendos kundër nesh, pasojat do të jenë të rënda’.

Frika është njerëzore, por qytetaria e kësaj epoke ka në dorë shtetin.

Jetojmë epokën e shteteve, kjo është arritje e njeriut.

Olivio Guzman Lopez, vetëm 32 vjeç guxoi të kërcënojë Amerikë Latine dhe Karaibe, se ‘këtu nuk ka vend për Amerikën dhe as për shtetin Meksikan’. Me siguri edhe ai e ka menduar ‘Amerikën të mundur’. Baza e ushtrimit të frikës është paraja nga droga dhe ushtria e militantëve.

Por ra. Dmth., ra frika dhe ideja se militantët mund të pushtojnë shtetin.

Sot dhe dje, tre ditë pasi djali i ‘mbretit’ dogji qytetin dhe vrau 29 vetë, presidenti Joe Biden ka zbritur në ‘tokën e djegur’ dhe ndodhet në kryeqytetin e Meksikës. Të dy presidentët, meksikani López Obrador dhe amerikani Biden, sot, e marte, ndërsa buzëqeshnin, shtrënguan duart për kamerat dhe u drejtuan për në Palacio Nacional. Nis Samiti i Amerikës Latine dhe Karaibeve, që siç u tha, ‘do të përmirësoje jetën në gjithë rajonin’. Nuk ka më ‘El Chappo’ nëpër rrugë…Shteti ka në dorë përparimin e njeriut, ndërsa ‘mbreti’ ka në dorë frikën. Jetojmë epokën e shteteve. Po të mos ishte kështu, Tirana do të ishte djegur dhjetëra herë, vetëm në vitin 2022.