Gazetari amerikan, Guy Lawson, i cili është autor i librit “Armët dhe çunat”, tregon se implikimi qeveritar në Gërdec ka qenë i niveleve të larta, që shkonin deri tek Berisha.

Në intervistën për Dritare.net ai thotë se Shkëlzeni, Mediu dhe ndoshta vetë Sali Berisha po përfitonin paratë, të cilat më vonë i zhdukën në Qipro.

“Djali i ish-kryeministrit u takua me çunat kur ata ishin në Shqipëri, për të rregulluar shpërndarjen dhe ripaketimin e këtyre municioneve me një çmim që ishte dyfish i çmimin që qeveria shqiptare po i merrte.

Qeveria shqiptare po i shiste municionet rreth 2 cent, për një kompani tjetër për rreth 4 cent, dhe më pas çunat e blinin për rreth 8 cent. Pra, çfarë ndodhi me ato pará? Implikimi është i qartë; djali i Kryeministrit, ndoshta edhe vetë Kryeministri, sigurisht Ministri i Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë, po përfitonin paratë, të cilat i dërguan në një kompani në Qipro dhe më pas u zhdukën”, rrëfeu Lawson.

Pse ka rëndësi të rihapet hetimi për vdekjen e Kosta Trebickës

Gazetari amerikan Guy Lawson, autor i librit “Armët dhe çunat”, i cili fitoi gjyqin pas padisë së Shkëlzen Berishës thotë se ka një mënyrë për të rihapur hetimin, nëse ka vullnet real për drejtësi në Shqipëri.

Në një intervistë me Rudina Xhungën, për librin e tij ai u pyet gjerësisht edhe për Trebickën për të cilin beson se është vrarë.

“Mendoj se duhet të rihapin hetimin për vdekjen e Kosta Trebickës. Di që Kosta Trebicka vdiq në rrethana shumë të dyshimta, di se nuk ka pasur kurrë ndonjë hetim apo përpjekje reale dhe të sinqertë për të gjetur se çfarë ndodhi në të vërtetë. Unë di se ai kishte zemëruar shumë zyrtarë të lartë, duke përfshirë edhe Kryeministrin në atë kohë, ministrin e Mbrojtjes dhe shumë njerëz të tjerë brenda njësive të krimit të organizuar që rrethojnë qeverinë shqiptare.

Pra, kishte shumë armiq atje dhe shumë armiq të tjerë në qeverinë amerikane, në Ambasadën amerikane në Tiranë dhe Departamentin e Drejtësisë në Majemi. Ai kishte zemëruar shumë njerëz. Pra, ideja se makina e tij papritur u përmbys dhe ai vdiq në një “aksident”, fakti se kurrë nuk u bë një hetim dhe se familjes së tij, me aq sa di unë, i është kërkuar të heqin dorë, pak a shumë kërcënuar, më bëjnë të mendoj se ku ka tym, ka zjarr, ose të paktën ka sugjerim për zjarr”, shprehet ai në intervistën e tij.