Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro,vizituan qendrën e re të kompostimit në Belsh. Falë përpunimit të mbetjeve të gjelbërta që gjenerohen nga serat dhe pemët frutore në territorin e bashkisë pritet të prodhohen rreth 300 ton komposto organike në vit, duke krijuar të ardhura për bashkinë dhe njëkohësisht duke ulur ndjeshëm volumin e mbetjeve që depozitohen në pikën fundore .
Damian Gjiknuri që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, falenderoi qeverinë dhe GIZ për mbështetjen e këtij modeli. Ai tha se qarku i Elbasanit është bërë promotor i zhvillimit.
“Kjo zonë, duke futur këtë lloj metodologjie mendoj që bën gjënë e duhur për t’i zgjatur jetën fryteve të tokës sepse është një zonë bujqësore. Më vjen mirë që këtu në qarkun e Elbasanit në njëfarë mënyre u bë promotor. Dua të falenderoj Ministren dhe qeverinë në këtë rast që filluan ta kthejnë në një model zhvillimi dhe partnerët e GIZ që e mbështetën këtë proces për t’u kthyer në një model që mund ta marrin shumë bashki të ngjashme bujqësore për ta aplikuar. Janë modele të qëndrueshme zhvillimi. Edhe kryetari ka meritë sepse i ka ndenjur mbi kokë këtij procesi dhe realisht ka qenë i mirëpritur dhe nga banorët edhe nga fermerët”, deklaroi Gjiknuri.
Ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se Belshi është stacioni i tretë që i shtohet kësaj iniciative duke krijuar modele të suksesshme.
“Pozitive është që ka edhe bashki të tjera që janë në radhë e po presin. Mbetjet e gjelbërta, do të ishte vërtet mëkat, por edhe mungesë menaxhimi nëse ato hidhen. Ndërkohë mund t’i riciklojmë duke i përdorur si pleh organik për bujqësinë, por akoma më shumë mund edhe të përgatiten dhe të shiten nga bashkia sjellë të ardhura. I njëjti parim do duhet të jetë edhe me letrën edhe me plastikën dhe qelqin në vazhdim. Pas investimeve të mëdha, ne po hyjmë në një tjetër logjikë të menaxhimit të mbetjeve që është ajo e ekonomisë qarkulluese”, tha Kumbaro.
Kryebashkiaku Arif Tafani u shpreh se falë kësaj teknologjie jo vetëm do të ndihmohet ekonomia e zonës, por dhe Bashkia do të marrë disa të ardhura shtesë.