Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë, me vendim të datës 30 nëntor 2022, ka urdhëruar SPAK-un që të regjistrojë procedim penal për vjedhjen e 280 kg ar në tunelet e sigurisë së lartë në Krrabë gjatë trazirave të vitit 1997, ngjarje për të cilën Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë akuzuar njëri-tjetrin. Gjykata ka ardhëruar gjithashtu SPAK-un që hetojë pasurinë e Ilir Metës dhe Sali Berishës, nëse është deklaruar sipas ligjit dhe nëse ka apo jo lidhje me vjedhjen e thesarit të shtetit. Vendimi mban firmën e gjyqtares Flojera Davidhi, e cila rrëzon vendimin të 7 tetorit 2022 të prokurores së SPAK, Manjola Kajana, për mosfillimin e procedimit penal që ka të bëjë me kallëzimin e avokatit Idajet Beqiri për vjedhjen e floririt të Kërrabës. Beqiri kërkonte ndjekjen penale të Ilir Metës dhe Sali Berishës si të dyshuar si organizatorë dhe përfitues të vjedhjes së floririt.

Në vendimin e mosfillimit, prokurorja Manjola Kajana thotë se vepra penale e referuar në kallëzimin e Idajet Beqirit është parashkruar sipas legjislacionit penal, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vite. Së dyti, prokurorja e SPAK-ut Manjola Kajana thekson se për këtë ngjarje janë dënuar 5 persona në vitin 2001, me vendim të formës së prerë të Gjykatës Ushtarake. Dhe së treti, sipas prokurores, vepra penale e referuar nga Beqiri, ajo e grupit të strukturuar kriminal, nuk ekzistonte në legjislacionin penal të kohës.

Avokati Beqiri e ankimoi vendimin në gjykatë. Sipas Beqirit vendimi është në kundërshtim flagrant me ligjin penal dhe procedurial penal, si dhe me provat dhe me faktet. Sipas avokatit Beqiri, vendimi i prokurores nuk i përgjigjet standardit, përgjegjësisë dhe seriozitetit të SPAK, e trajton vjedhjen e floririt të shqiptarëve problemet shumë përciptazi, anashkalon akuzat më të rënda, ka arsyetime vetëm për një pjesë të vogël të akuzave si dhe ka arsyetime që vetëm favorizojnë Metën dhe Berishës, të cilët sipas Beqirit janë të dyshuar si organizatorë, frymëzues dhe përfitues të vjedhjes së floririt.

Gjyqtarja Flojera Davidhi, duke rrëzuar vendimin e mosfillimit të procedimit penal, arsyeton se prokuroria nuk mund të dalë në konkluzione se nuk ka vepër penale dhe se janë patashkruar veprat penale, pa kryer hetime. Gjyqtarja arsyeton se i takon më pas gjykatës për të kontrolluar dhe vlerësuar hetimet e prokurorisë. Flojera Davidhi thekson se mund të jemi para vazhdimësisë së veprës penale, por pa hetuar në mënyrë shteruese, nuk mund të dilet në një përfundim.

Gjykata thotë se kallëzuesi pretendon se Ilir Meta dhe Sali Berisha i kanë krijuar pasuritë me floririn e vjedhur. Sipas gjykatës, kallëzuesi nuk ka mundësi për ta provuar këtë fakt, ndaj SPAK duhet të verifikojë burimin e pasurisë së Metës dhe Berishës, përmes shkresave drejtuar ILDKPKI, hipotekës etj. Në vendimin e gjykatës thuhet se SPAK-u, pasi të bëjë një hetim shterues, të paraqitet në gjykatë për pushimin e çështjes ose ndëshkimin e personave përgjegjës, nëse do të zbulohen të tillë.