Hetuesit po mbledhin prova për të grabitjen që ndodhi mbrëmjen e 29 Dhjetorit në Maliq në banesën e të moshuarës Luljeta Hoxha.

Sipas BW, policia ka administruar si provë litarin me të cilin ishte lidhur e moshuara në momentin e grabitjes.

Ndërkohë që janë sekuestruar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë së banesës ngjitur, e cila është në pronësi të kunatit të 67-vjeçares, për të bërë të mundur zbulimin e lëvizjeve që kanë ndjekur autorët.

Ndërkohë janë marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve fqinj dhe të afërm të së moshuarës. Mes të shoqëruarve janë edhe 4 të rinj në zonë që i përshtaten përshkrimit për autorin e grabitjes.

Policia po heton edhe persona me të cilët e moshuara ka pasur kontakte të vazhdueshme, të cilët mund të kenë pasur dijeni edhe për shumën e parave që ajo mbante në kasafortë.