Grupi i Alibeajt ka zyrtarizuar një tjetër kandidat për kryetar bashkie në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Bëhet fjalë për Dritan Sulën, i cili do të garojë për bashkinë e Dimalit, ndërsa përballë tij nga grupi i Berishës është Gentjan Mice.
“ Dritan Sula | Kandidat i Partisë Demokratike për Kryetar Bashkie në Bashkinë #Dimal ⬇️
Sipërmarrësi Dritan Sula është tashmë zyrtarisht në garë për bashkinë e Dimalit, për të qenë ai qytetari i parë i kësaj bashkie.
Sula, diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, është një njeri aktiv në politikë dhe jetën e tij profesionale dhe shoqërore e ka të lidhur me vendlindjen e tij.
Sula është aktiv në Partinë Demokratike që në vitin 1991, kur i’u bashkua lëvizjes antikomuniste për rrëzimin e diktaturës, për të vijuar më pas me themelimin e PD-së në vendlindjen e tij, deri në drejtimin e degës së saj, funksion të cilin e mban dhe sot. Dritan Sula me kandidimin e tij për bashkinë Dimal, synon që të jetë në shërbim të bashkëqytetarëve të vet, duke ofruar një projekt konkret, për të rikthyer Bashkinë tek qytetarët, të cilët gjatë qeverisjes së Rilindjes janë nëpërkëmbur e lënë në harresë nga bashkia.”, thuhet në njoftimin e grupit të Alibeajt.