Gjykata e Elbasanit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” këtë të hënë ndaj autorit të ngjarjes së rëndë që tronditi Gramshin pak ditë më parë.

Në sallën e gjyqit, doli i moshuari Xhevit Sinani i cili akuzohet se vrau gruan dhe vëllain, Zeqine Sinanin dhe Shaqir Sinanin, në fshatin Tërvol të Gramshit.

Ai është shfaqur i qetë teksa pret të mësojë vendimin e gjykatës për rivlerësimin e masës së arrestit.

I moshuari nuk ka pranuar të japë shpjegime kur është pyetur se cili ka qenë motivi që e ka shtyrë të kryejë krimin, duke thënë “nuk dëgjoj”.

75-vjeçari i goditi ata me sëpatë, për shkaqe që nuk dihen ende.

Pas ngjarjes, Xheviti telefonoi fëmijët e tij dhe u tregoi për aktin e rëndë.

Ndërsa 30 minuta pas vrasjes, policia bëri të mundur arrestimin e Xhevit Sinanit si dhe i sekuestroi sëpatën me të cilin kreu krimin e rëndë.
Xhevit Sinani rezulton të jetë dënuar në vitin 2015 për vjedhjen e energjisë elektrike.