Zlatan Ibrahimovic është duke punuar intensivisht për një rikthim sa më të shpejtë në fushën e lojës. Më në fund, duket se koha e pritjes po përfundon dhe nga sa bëhet me dije në mediat italiane, suedezi do të rikthehet në mesjavë në Milano.
Që nga dëmtimi i tij dhe operacioni në përfundim të sezonit të shkuar, Ibra është duke kaluar një periudhë rikuperimi dhe riaftësimi dhe pritet që në mesjavën e ardhshme të lërë Miamin, ku edhe është duke u stërvitur dhe pushuar në të njëjtën kohë, për t’u rikthyer në klubin kuqezi. Vetë sulmuesi suedez ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shfaqet duke u stërvitur intensivisht, ndërsa trajneri i Milanit ka konfirmuar mbërritjen e tij në Itali gjatë këtyre ditëve dhe më pas do të bëhet edhe vlerësimi i formës së tij dhe gjendjes për t’iu bashkuar skuadrës në stërvitje apo edhe për të vendosur se kur do të mund të jetë i gatshëm për të luajtur.
Në skuadrën kuqezi, nëse gjerat do të shkojnë sipas planeve dhe riaftësimi i suedezit të jetë i plotë, atëherë synim mbetet ndeshja kundër Totenhemit, në mesin e muajit shkurt.