Investimet publike për vitin 2023 janë planifikuar në masën 5.6% e PBB-së, ose 122.24 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë.

Në planifikimin e investimeve për vitin 2023 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm.

Ashtu, si edhe në vitin 2022, dhe në vitin 2023 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Shpenzimet buxhetore për periudhën 2023-2025 do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike prej mesatarisht 5.2% të PBB-së, duke u përqendruar në financimin e projekteve me rëndësi strategjike.

Shpenzimet e planifikuara synojnë mbështetjen për dixhitalizimin dhe sigurinë kibernetike, finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, sigurinë kombëtare, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Kontratat koncesionare që do të mbështeten me fonde nga buxheti i shtetit janë Rruga e Arbrit; Milot – Morinë; Orikum – Dukat, Milot – Balldren.

Projektet kryesore për periudhën afatmesme janë Tuneli i Llogorasë; bajpasi i Elbasanit; segmenti i unazës së jashtme të Tiranës; bajpasi perëndimor Shkodër; zgjerim i segmentit dalje Elbasan – Përrenjas – Qafë Thanë.

Po ashtu prioritet është rritja e sigurisë rrugore në të gjitha akset kombëtare ku synohet ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 25%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.

Parashikohet të jenë 3483 km rrugë të mirëmbajtura sipas standardeve në vitin 2025 në të gjithë territorin.

Në kuadër të buxhetimit të përgjigjshëm gjinor, në vitin 2023 do të vijojë adresimi i çështjeve të lidhura me barazinë gjinore kryesisht në fushat e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, drejtësisë dhe rendit publik.

Në këtë buxhet parashikohet që rreth 9% e shpenzimeve të përgjithshme publike ti dedikohen politikave publike me bazë gjinore të përfshira në 47 programe buxhetore.