Ish-zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda ka folur për herë të parë rreth akuzave të ngritura nga SPAK se ka përfituar para dhe arka me peshk në këmbim të një vendi pune.

E ftuar në EuroNews Albania, ajo sqaroi se arkat me peshk nuk ekzistojnë, duke theksuar se as nuk është e vërtetë që ajo ka marrë para.

Sipas saj, edhe pse SPAK ka marrë kamerat e magazinave në Portin e Durrësit, sërish nuk ka gjetur asnjë provë për këtë gjë.

“Të ndalem pak te kjo arka me peshk, sepse që ta dinë sot të gjithë ata që kanë pasur besim tek unë, të gjithë ata që më kanë dhënë mundësinë që unë të mbaj pozicionin e zv.ministres së Brendshme, të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me mua, sot duhet të dinë një gjë: Arkë me peshk nuk ka patur. Nuk ka ekzistuar kurrë. Nuk kam marrë kurrë dhurata të shtrenjta, nuk ekziston kurrë dhënia e parave, nuk ekziston as arka me peshk . Në akuzën e ngritur nga SPAK thuhet thjesht që familja e Florida Beut merret me peshkim dhe është dëgjuar që ajo ka dëshirë që të japë një arkë me peshk. E them me siguri sepse si provë materiale, SPAK ka shkulur edhe kamerat e magazinave të portit, të peshkimit por sigurisht nuk është parë ndonjë pamje që në makinën time të futet ndonjë arkë me peshk”, tha ndër të tjera Voda.

Kujtojme se Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, njoftoi të mërkurën më 11 janar 2023 lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë për shpalljen fajtore të ish-zëvendësministres së Brendshme, Rovena Voda dhe dy shtetase që bashkë me të u akuzuan për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.