Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha në Davos se Serbia po përballet me një vit kritik, ndoshta një nga më të vështirat në historinë moderne në aspektin politik dhe ekonomik.
Ai, për mediat serbe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ka thënë se nga bisedimet me liderë të ndryshëm, ka kuptuar se e vetmja gjë për të cilën të gjithë janë interesuar, janë sanksionet kundër Rusisë dhe pavarësia e Kosovës.
Duke iu referuar takimit me përfaqësus të Gjermanisë, Francës, SHBA-së, Italisë dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak diten e premte, Vuçiç tha se do të jetë “një takim shumë, shumë, shumë i vështirë me fuqitë më të mëdha botërore”.
“Do t’i drejtohem opinionit me masa të reja dhe do t’iu tregojë se çfarë po i kërkohet dhe po pritet nga Serbia për Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë”, nënvizoi Vuçiç.
I pyetur për deklaratën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se nëse ka vullnet mund të arrihet një marrëveshje në muajt e ardhshëm, ai deklaroi se “Kjo mund të bëhet pasnesër, nëse heq dorë nga synimet e shkeputjes”.
“A e keni parë dokumentin e BE-së. Aty janë ndëshkuar dhe sanksionuar të gjithë ata qe duan shkeputje. Dhe ata bënë një shkëputje të dhunshme të një pjese të territorit tonë. Ata thonë se ne duhet të dënojmë dhe të sanksionojmë ata që inkurajojnë shkëputjen, ndoshta pjesë të Kosovës dhe pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ata që në kundërshtim me rregullat morën vendim për të bombarduar një vend”, theksoi kreu i shtetit serb.
I pyetur për konfirmimin e Fondacionit “Friedrich Ebert” se ka hartuar tekstin për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, Vuçiç pyeti se kush ua ka kërkuar një gjë të tillë dhe se kjo do ta reduktonte atë në një organizatë joqeveritare.