Partia Socialiste ka dorezuar ne SPAK nje kallezim te ri per 21 janarin. Ne kallezimin qe po e publikojme te plote, te kallezuar jane Sali Berisha, Lulzim basha dhe Ndrea Prendi. Duke iu referuar provave te reja te komunikimeve ne radio, PS me ane te Sekretarit te Pergjishem Damian Gjiknuri ka bere kallezimin ne fjale:
PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM
Sheshi “Austria” – Tiranë Tel/Fax ++35542224738 www.ps.al
KALLËZIM PENAL
Drejtuar: Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Kallëzues: Partia Socialiste e Shqipërisë,
Damian Gjiknuri, Sekretari i Përgjithshëm.
I kallëzuar: Z. Sali Berisha, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë si dhe ish-Kryeministër i Republikës së Shqipërisë;
Z. Lulzim Basha, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si dhe ish-ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë;
Z. Ndrea Prendi, në cilësinë e ish-komandantit të Gardës së Republikës.
Për: Kryerje të veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të parashikuar nga neni 79, germa “dh” në lidhje me nenet 25 e 50, germa dh) të Kodit Penal.
Baza Ligjore: Nenet 280, 283 të Kodit të Procedurës Penale.
Nenet 79, germa dh) në lidhje me nenet 25 e 50, germa dh) të Kodit Penal si dhe 248 të Kodit Penal;
Neni 75/a, par. 1, germa c, i Kodit të Procedurës Penale;
Neni 8/2 i ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar.
I nderuar z. Prokuror,
Në lidhje me kallëzimin tonë si më sipër, parashtrojmë në mënyrë sqaruese sic vijon,
I. Faktet.
1. Më datën 21 Janar 2011 është zhvilluar një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku opozita e asaj kohe (Partia Socialiste), lajmëroi protestë pas skandalit me videon Ilir Meta – Dritan Prifti, ku flitej për “7%” e një koncesioni. Në këtë tubim ka qenë i planizuar edhe i kallëzuari Ndrea Prendi, i armatosur me armën e tij personale, gjatë ushtrimit të detyrës si komandant i Gardës së Republikës. Teksa po protestohej para Kryeministrisë, për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të Kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur shtetasit Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
2. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite heqje lirie.
3. Konkretisht, me vendimin nr. 100, datë 07.02.2013, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur deklarimin të pafajshëm për të kallëzuarin Ndrea Prendi për veprën penale të “Vrasjes me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, parashikuar nga neni 79, germa “ë” e Kodit Penal.
4. Me vendimin nr. 793, datë 18.09.2013, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur të deklarojë fajtor të kallëzuarin Ndrea Prendi për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal dhe, bazuar në ketë dispozitë, dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
5. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2016-690, datë 25.04.2016 ka vendosur mospranimin e rekurseve të paraqitura nga palët ndërgjyqëse kundër vendimit nr. 793, datë 18.09.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë.
6. Përpara se të kryheshin vrasjet i kallëzuari Sali Berisha, në studion e televizionit VIZION PLUS, në programin “REAL STORY” të drejtuar nga gazetari Sokol Balla, ka deklaruar “…do të jenë pesë snajper. Katër në të katër anët dhe unë në atë dritare, dhe në mënyrë absolute do goditet, vetëm po s’e çpoi plumi…unë do të bëj atë që më takon me bë. Jo kryeministri, por një postë policie më të largët ne Shqipëri po e preke, në mënyrë absolute nuk do të kthehet në Tiranë i gjallë.”
7. Fakti i ri. Në datën 20 janar 2023, jemi vënë në dijeni se Z.Artan Hoxha, me profesion “gazetar”, ka qenë i ftuar në emisionin televiziv “Zona Zero”, i transmetuar nga kanali televiziv “Top News dhe ka deklaruar publikisht se zotëron materiale të reja për ngjarjen e 21 janarit 2011. Në vijim të emisonit Artan Hoxha ka deklaruar faktet si vijon: “Është një regjistrim audio. Vrasjet janë bërë me urdhër, por serverat u fshinë, procesverbalet u fshinë, nuk u la më asnjë gjurmë, për të fshehur faktin se kush i kreu vrasjet. Por nuk u fshinë ato të ndërkombëtarëve europiane, se për ata përtej Adriatikut nuk e di. Më thirrën fillimisht që të identifikoja se kush ishin personat. Pra të lidhja zërin me figurën. Prandaj më vjen për të qeshur mua kur kërkojnë prova për “non grata”. Përgjimet jam tronditur kur e kam dëgjuar. Aty kupton se çfarë ka ndodhur. Kjo është një provë e fortë që tregon se protestuesit janë vrarë me urdhër në intensitetin e protestës. Dhe kur njerëzit ishin lodhur. Ky material është regjistruar nga aletatët tonë. Kur dalin këto vendimet non grata dhe kur këta të shpallur kërkojnë prova mua më vjen të qesh sepse ata e dinë çfarë provash kanë. Regjistrimi është bërë nga një vend aleat. Ma vuri në dispozicion për të bërë leximin e ngjarjes. Më në fund pas 12 vitesh, mu dha mundësia të kem një provë që dëshmon se vrasjet janë bërë me urdhër dhe oficerët që kanë qëlluar me urdhër. Ky material që është siguruar pas një kohe kaq të gjatë i jep mundësinë që të gjejë përgjegjësin dhe t’i qetësojë familjarët. Komunikoni vetëm stafi drejtues dhe ai që konsiderohej grupi i zjarrit. Ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtor i Policisë së Tiranës. Aty dëgjohet që flet edhe ministri i Brendshëm i asaj kohe që kaq qenë Lulzim Basha.”
8. Po ashtu Z. Artan Hoxha ka bërë me dije detaje të reja lidhur me vrasjen ndaj katër shtetasve në datë 21 janar 2011. Në fjalën e tij, Artan Hoxha në “Zona Zero” është shprehur se për të komunikuar është përdorur një kanal i veçantë në radio (“202 i Tufanit”) që nuk aksesohej nga të gjithë. Madje, edhe pse nuk kishte radio, në komunikim është përfshirë edhe ish-Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Por fjalët e tij nuk i ka bërë publike bashkë me përgjimet e tjera.
9. Nga materiali publik, që përmban transkriptimet e bisedave telefonike të përgjuara, rezulton si më poshtë:
9.1. Komunikimi i parë.
Ndrea Prendi: Alfred dëgjon?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj.
Ndrea Prendi: Po afrohen shumë, duhet të jeni gati për zjarr.
Alfred Ahmetcenaj: Po të kuptova drejt..
9.2. Komunikimi i dytë:
Komandanti i Gardës Ndrea Prendi: Të mbahen armët në dorë gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajër. Pastaj kur të them unë në trup.
Ndrea Prendi: Artan (Artan Hoxha, zv komandanti i Gardës). Dëgjon? Artan dëgjon?
Artan Hoxha: Dëgjoj, dëgjoj.
9.3. Komunikimi i tretë:
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak.
Artan Hoxha: Kuptova, kuptova.
Ndrea Prendi: Ky është urdhëri, Dashamir dëgjuat.
Dy efektiva të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta-ta-ta gjakos (urdhëri për të vrarë).
Komunikimet (urdhërat) janë dhënë vetëm me radio nga komandanti i Gardës për vartësit e tij. Pasi u dha urdhëri për të qëlluar, u zbatua duke realizuar të shtënat një nga një dhe me breshëri, nuk është dhënë me asnjë urdhër tjetër për të qëlluar. Nga komunikimi në radio, menjëherë pas vrasjeve të protestuesëve, ka rënë një qetësi absolute tek komandanti i Gardës dhe oficerët drejtues me të cilët ai komunikon. Komunikimi në vijim është sikur nuk ka ndodhur asgjë, madje nuk përmendet në asnjë moment që ka të vrasë apo të plagosur.
I panjohur: 260 i Luanit, dëgjon?
260 i Luanit: Ju dëgjoj.
I panjohur: Të kërkon ministri, këtu në radio.
9.4. Komunikimi i katërt:
Audio: Menjëherë dëgjohen të shtëna tek e tek, sërish dëgjohen 8 të shtëna radhazi një nga një.
Ndrea Prendi: Alfred?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj (dëgjohen 2-3 të shtëna tek e tek).
Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!
9.5. Komunikimi i pestë:
Ndrea Prendi: Martin më dëgjon? Agim më dëgjon? Agim? Agim? 202 i Tufanit (kodi i radios) më dëgjon?
202 i Tufanit: Këtu jam. Ngjitur, ngjitur.
Ndrea Prendi: Alfred, një grup i njësisë speciale këtu tek porta numër 2.
Alfred Ahmetcenaj: Të kuptova.
Ndrea Prendi: Artan më dëgjon.
Artan Hoxha: Dëgjoj.
Ndrea Prendi: Le ta djegin pemën nuk ka problem.
I panjohur: 260 e Luanit?
I panjohur: Luani 3”.
10. Të kallëzuarit Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë kryer gjatë vitit 2011 respektivisht detyrat e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, kurse i kallëzuari Ndrea Prendi ka qenë oficer me gradën “Gjeneral”, me detyrë komandant i Gardës së Republikës.
II. Ligji.
11. Neni 79 i Kodit Penal parashikon se “Vrasja me dashje e kryer: dh) kundër dy ose më shumë personave;”
12. Neni 26 i Kodit Penal parashikon se “Bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: organizatorët, ekzekutorët, shtytësit dhe ndihmësit. Organizatorë quhen ata persona që organizojnë dhe drejtojnë veprimtarinë për kryerjen e veprës penale.Ekzekutorë janë personat që kryejnë veprime të drejtpërdrejta për realizimin e veprës penale. Shtytës quhen personat që nxisin bashkëpunëtorët e tjerë për kryerjen e veprës penale. Ndihmës quhen personat që me këshilla, udhëzime, dhënie mjetesh, largim të pengesave, dhënie të premtimit për fshehjen e bashkëpunëtorëve, të gjurmëve apo të sendeve që rrjedhin nga vepra penale, ndihmojnë për kryerjen e saj.
13. Neni 27 i Kodit Penal parashikon se: “ Organizatorët, shtytësit dhe ndihmësit kanë përgjegjësi si edhe ekzekutorët për veprën penale të kryer prej tyre. nNë caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët, gjykata duhet të mbajë parasysh shkallën e pjesëmarrjes së secilit dhe rolin e luajtur në kryerjen e veprës penale.”
14. Neni 283 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se:” 1. Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm. 2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore me gojë ose me shkrim, personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit.3. Kallëzimet anonime nuk mund të përdoren, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga neni 194. Të dhënat e përmbajtjes së kallëzimit anonim mund të verifikohen nga prokurori ose policia gjyqësore për të siguruar elementë të provës, që konfirmojnë vërtetësinë e tyre.”
15. Nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale ku parashikon: “Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon: a) krimet e parashikuara nga nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 244, paragrafi 2, 244/a, 245, 245/1, paragrafët 2 dhe 4, 257, 258, paragrafi 2,259, paragrafi 2, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e, 328 dhe328/b të Kodit Penal; b) çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal; c) akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit,zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj; ç) akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.”
16. Neni 8 i ligjit Nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” i përditësuar, parashikon: “1. Kompetenca lëndore parësore e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar parashikohet në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale. 2. Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokuroria e Posaçme janë kompetente për të shqyrtuar, hetuar dhe ndjekur penalisht çdo vepër penale, sipas pikës 1, të këtij neni, edhe në rastet kur nuk ngrihet akuzë kundër një zyrtari, sipas nenit 135, pika 2, të Kushtetutës, ose kundër një drejtuesi të një institucioni qendror ose të pavarur, sipas këtij ligji, ose nëse ai zyrtar publik ose zyrtar i lartë largohet gjatë kohëzgjatjes së hetimit. “
III. Vlerësimi.
17. Në lidhje me kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme . Në bazë të nenit 8 të ligjit Nr. 95/2016, të ndryshuar dhe nenit 75/1, germa “c” dhe “ç” të K.Pr.Penale, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kompetencë lëndore për hetimin penal të cështjes, pasi të kallëzuarit kanë qënë ish funksionarë dhe veprimet janë kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
18. Në lidhje me faktin e ri. Nga përmbajtja e komunikimeve të Z. Artan Hoxha, rezulton se ato përmbajnë të dhëna mbi fakte të reja dhe se ato nuk i janë nënshtruar hetimeve e gjykimeve të mëparshme. Në dinamikën e komunikimeve rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve, urdhra të cilët nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë.
19. Provat mbi të cilat ngrihen dyshimet e arsyeshme se urdhërat janë dhënë nga njëri prej të kallëzuarve. Përmbajtja e të dhënave nga komunikimi i tretë tregon mjaft qartë se Ndrea Prendi ka marrë urdhër për të shtënë në trupat e njërëzve nga të kallëzuarit,
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak.
Artan Hoxha: Kuptova, kuptova.
Ndrea Prendi: Ky është urdhëri, Dashamir dëgjuat.
Dy efektiva të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta-ta-ta gjakos (urdhëri për të vrarë)
I panjohur: 260 i Luanit, dëgjon?
260 i Luanit: Ju dëgjoj.
I panjohur: Të kërkon ministri, këtu në radio.
19.1. Pasi Ndrea Prendi kishte sqaruar në komunikimin e dytë se duhej të pritej për urdhër për të shtënë në njerëz (…Pastaj kur të them unë në trup.) në komunikimin e tretë jepet urdhëri për zjarr luftarak, pra, për të shtënë në trupa njerëzish. Pasi jepet urdhri, marrësi i tij përgjigjet “Kuptova, kuptova.”. Ndrea Prendi sqaron se “Ky është urdhëri!!!” Pra, eshtë thënë me një rëndësi tepër të madhe edhe për nga pasoja që parashikohej të sillte . Ky është “Urdhri” dhe jo thjesht një urdhër rutinë e pa pasoja. Përmbajtja e komunikimit “Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta-ta-ta gjakos” tregon qartë tensionin që kanë patur efektivët dhe dukej se mund edhe mos a kishin kuptuar mirë.
19.2. Në këto rrethana tensioni, rezulton se është detyruar edhe vetë Ministri, i kallëzuari, që të flasë në radio drejtpërdrejtë me zbatuesit e urdhërit. Pra, për të siguruar se urdhri nuk ishte dhënë nga Ndrea Prendi, por nga persona me detyra funksionale në atë kohë, si Ministri dhe Kryeministri, dhe për t’iu dhënë mbështetje zbatuesve të urdhërit për zbatimin e tij me fuqi të plotë, me pasoja vrasjen e njerëzve.
20. Pasojat e 21 Janarit dihen tashmë. Nga të shtënat që vinin prej forcave të armatosura të strehuar në ndërtesën e Kryeministrisë humbën katër jetë njerëzish. Sipas përmbajtjes së komunikimeve rezulton se vrasjet janë kryer më dashje të drejtpërdrejtë dhe jo nga pakujdesia sipas vendimit nr. 793, datë 18.09.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë.
21. Cilësimi ligjor i veprimit e mosveprimit në kundërshtim me ligjin. Në lidhje me cilësimin ligjor të veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të parashikuar nga neni 79 shkronja “dh”, i Kodit Penal, kërkohen veprime aktive, të kundërligjshme e shoqërisht të rrezikshme dhe të synojnë marrjen e jetës së dy ose më shumë personave. Ky është edhe elementi që e dallon këtë figurë krimi nga figurat e tjera të vrasjes. Subjekti që kryen këto veprime duhet të ketë mbushur moshën për përgjegjësi penale, në rastin konkret të ketë mbushur 14 vjeç dhe të jetë i përgjegjshëm përpara ligjit penal. Ana Subjektive. Gjatë kryerjes së veprës penale të parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal, i pandehuri vepron me dashje direkte, me qëllim vrasjen e dy ose më shumë personave.
21.1. Ana objektive e veprës penale është mjaft e qartë tashmë si dhe pasoja. Provat e reja të cituara këtu, të dhënat nga përmbajtja e komunikimeve, tregojnë qartë se vrasjet janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe në bashkëpunim ndërmjet të kallëzuarve, të cilët në mënyrë të kundraligjshme dhe pa asnjë justifikim kanë urdhëruar direkt (Ministri) dhe indirekt (Kryeministri) forcat e armatosura që të shtinë në trupat e njErëzve. Përfshirja e Ministrit në komunikim me radio (veprimi) rezulton e provuar katërcipërisht dhe ky fakt/provë krijon dyshimin e bazuar se ndërhyrja e tij në lidhje të drejtpërdrejtë me efektivët e gardës (260 i Luanit) është bërë me porosi e për të dhënë urdhërin nga Kryeministri, i kallëzuari tjetër, si personi më i fuqishëm në atë kohë.
21.2. Nga deklarimet publike para dhe pas ngjarjes, të të kallëzuarit Sali Berish, ish-Kryeministër, krijohet bindja përtej çdo dyshimi, se ai vetë ka qenë në drejtim të veprimeve të Gardës nëpërmjet komunikimit direkt me të kallëzuarit Andrea Prendin dhe ministrin Lulëzim Basha.
22. Mbi bazën e të dhënave sipas këtij kallëzimi, rezulton e provuar se secili prej të kallëzuarve, si dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar plotësisht elementet e veprave penale të parashikuara nga nenet 79, germa dh, si dhe 248 të Kodit Penal, që faktohet me vrasjen e më tepër se dy viktimave si dhe kryerjen e moskryerjen në mënyrë të kundërligjshme të detyrës për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të lëshuar nga organi i Prokurorisë për ngjarjen e datës 21.1.2011 si dhe në tërësi për faktin e ndodhur kriminal.
23. Provat e reja rezultojnë vendimtare në favor të ndryshimit në themel të çështjes për të kallëzuarin Ndrea Prendi, pasi veprimi i tij konfigurohet tashmë tek vepra penale e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të parashikuar nga neni 79, germa “dh” të Kodit Penal dhe jo ajo e “Vrasjes nga pakujdesia” sipas vendimit nr. 793, datë 18.09.2013, Gjykata e Apelit Tiranë, i formës së prerë. Në këtë kuptim, proceduralisht vlerësojmë se ka vend dhe janë krijuar kushtet ligjore për rishikimin e vendimit sipas nenit 450/1/c të K.Pr. Penale ku parashikohet se “Rishikimi mund të kërkohet : c) kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar”.
24. Po në bazë të provave dhe fakteve të reja te relatuara në këtë kallëzim, vlerësojmë se janë krijuar kushtet ligjore të mbështetura mbi një bazë të shëndoshë faktesh për të regjistruar procedimin penal ndaj dy të kallëzuarve të tjerë Sali Berisha dhe Lulzim Basha respektivisht detyrat e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, për veprimet e kryera prej tyre në datën 21 Janar 2011.
25. Mbi bazën e këtyre të dhënave të reja, vlerësojmë se Prokuroria e Posaçme duhet të zhvillojë hetime konkrete gjithëpërfshirëse ndaj të kallëzuarve si dhe personave të tjerë që do të rezultojnë të përfshirë me veprime e mosveprime me përgjegjësi në vrasjen e katër viktimave të sipërcituara. Të dhënat që do të përftohen nga hetimet do të vlejnë si për hetimin e ri të nisur, por dhe për çështje që mund të jenë pushuar (neni 329/c i Kodit të Procedurës Penale) apo gjykuar (neni 450/1, germa c, i Kodit të Procedurës Penale).
26. Neni 15 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se : “1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. 2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.”
26.1. Neni 17 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se :”1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. 2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.”
26.2. Neni 21 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se: “Jeta e personit mbrohet me ligj.”
27. Në vlerësim të përmbajtjes së nenit 102 të Kushtetutës rezulton mjaft qartë se Kryeministri nuk ka për detyrë kushtetuese përfshirjen në trajtimin e situatës së krijuar pranë Kryeministrisë në datën 21 Janar 2011, për më tepër për të dhënë urdhëra, nëpërmjet ministrit të tij, për të shtënë në trupat e protestuesve. Po ashtu edhe Ministri nuk ka asnjë detyrë funksionale e ligjore për tu përfshirë në situata të tilla. Urdhëri për të marrë jetë njerëzish është një vendim që merret nga personi që ndodhet në rrethana të krijuara aty për aty dhe vetëm në rrethanat e vetëmbrojtjes. Nga provat e reja ka rezultuar se Urdhëri nuk është dhënë nga Ndrea Prendi në mënyrë të pavarur, por se ai urdhër (KY ËSHTË URDHËRI!!!) është dhënë nga të kallëzuarit Z. Berisha dhe Z. Basha me detyra të larta shtetërore. Për shkak se ishte një urdhër tejet absurd dhe thelbësisht në kundërshtim me ligjin, edhe për vetë të kallëzuarin tjetër Z.Prendi, por që ai e ka zbatuar, është detyruar vetë Ministri ta përcjellë atë tek zbatuesit e tij.
28. Në lidhje me provat. Për shkak se burimi i vetëm i këyre provave është Z. Artan Hoxha, kërkojmë që ai të thirret nga Prokuroria si person që ka dijeni mbi faktin penal dhe që prej tij të administrohen të gjitha provat që ai disponon.
29. Prova bashkëngjitur kallëzimit. Materialin e printuar nga faqja web https://dosja.al/live-updates/zbardhen-pergjimet-e-plota-te-21-janarit-artan-hoxha-zbulon-detajet-i273267.
30. Sa më sipër, në bazë të nenit 287/1 të K.Pr. Penale nga Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, kërkojmë:
1. Regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të parashikuar nga neni 79, germa “dh” në lidhje me nenet 25 e 50, germa “dh” të Kodit Penal.
2. Hetimin dhe procedimin penal të tyre për këto vepra dhe vepra të tjera që mund të zbulohen në dinamikën e hetimit paraprak.
KALLËZUESI
PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM
Damian Gjiknuri
Tiranë në datë .01.2023