Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosi thotë se populli shpreson te reforma në drejtësi, pasi ka qenë e domosdoshme.
Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ai deklaroi se shtylla e sistemit të drejtësisë është më e rëndësishmja, pasi garanton demokracinë dhe mos marrjen nëpër këmbë të interesave të këtij populli nga ata që qeverisin.
Klosi shtoi se jemi të gjithë dëshmitarë se deri tani dhe prokurorët dhe gjyqtarët ndihen nën presionin e politikës, pushtetit dhe opozitës dhe kanë rënë pre e korrupsionit duke dhënë drejtësi sipas parave që kanë marrë dhe nuk i kanë rezistuar dot presionit të politikës.
Sipas tij, me mbështetjen e ndërkombëtarëve, shpresohet që reforma të shkojë në drejtimin e duhur.
Kreu i SPAK nuk ka ato kompetencat që kishte një kryetar prokurorie. Kompetencat i lihen prokurorëve, por nuk është ai kryetar që vë veton.
I kanë dhënë një pozitë shumë të veçantë edhe në raport me prokuroritë e mëparshme. Është bërë gjithçka e mundur që mund të bëjë ky shtet.
Më e kollajtë për SPAK është çështja e “Gërdecit”, se “21 Janari”, meqenëse për atë u tha se ishte incident teknologjik.
Problemi është shumë më i hershëm, pasi në Shqipëri prodhoheshin armë në Poliçan, armatime dhe predha dhe Poliçani ishte vendi ideal për tu zgjidhur ato probleme që do zgjidheshin në Gërdec.
U bë një fabrikë dhe diletantë që merreshin me çmontim. Nëse nuk do ndodhte atë ditë shpërthimi, do të ndodhte të nesërmen.
Barut nëpër këmbë e karroca dore, aty nuk kishte asnjë rregull elementar për zbatim të një teknologjie.
Për “21 Janarin” unë them se janë fshehur provat, por dhe në 21 Janar i njëjti problem është nga një vrasje e programuar më parë, përfundoi në vrasje nga pakujdesia.
Janë kopsitur gjërat që të mos hapet më. Kur filluan qitjet protesta thuajse kishte mbaruar dhe është shtënë shumë larg gardhit, për të treguar se Berisha vendos sigurinë në vend edhe me vrasje.
Se ishte një periudhë e tërë që fillon që nga 1997 ku Shqipëria ishte tejet e trazuar. Janë vrarë 26 njerëz, pa thënë se si vajti puna deri këtu.
Ndërsa kjo tjetra vriten 4 vetë, u plagosën kaq të tjerë dhe përfundon me vrasje nga pakujdesia dhe në të dy rastet shefi ka qenë Berisha.
Nuk di se me kë do ta bëjë revolucionin, se ai nuk ka partinë e tij nën kontroll. Nuk është më Berisha i 1998 që bëri gjithë atë gjëmë, mori Kryeministrinë, televizionin, i bëri atëherë revolucionet.
Por në orën 16.00 me bisht në shalë i la institucionet, se dikush andej i tha “ore je në vete”. Për mua nuk janë idetë e vërteta të tij, se nuk është aq budalla.
Por duhet t’i mbajë të ngrehur militantët, se me të tilla llafe mbahen ata. Se parti e militantëve është. Mbas shpalljes non grata ai është i mbaruar, nuk është kërkundi.