Gazetari Eni Ferhati deklaroi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) është vënë në lëvizje për të shumëkërkuarin, Ervis Martinaj, i cili prej disa muajsh rezulton i zhdukur.
Sipas Ferhatit, kontrollet në banesën e Martinajt në Fushë-Kuqë, por edhe të personave të cilët kanë lidhje me të, u kryen me kërkesë të SPAK-ut dhe miratimit të gjykatës.
Ndër të tjera, Ferhati u shpreh ne Euronews Albania se kjo tregon indicie që çështja mund të hetohet nga vetë SPAK-u.
“Janë një sërë çështjesh të gamës së ndryshme, vetëm për korrupsionin po flas këtu, pa kaluar më pas te krimi i organizuar.
Padyshim, një nga operacionet më të suksesshme, jam pak i rezervuar kur them e suksseshme, është “Plumbi i Artë”, për shkak se nuk u arrit që të arrestoheshin të gjithë personat e shpallur në kërkim.
SPAK duket që ka edhe një vënie në lëvizje për çështjen më të madhe gjatë vitit 2022, sa i takon zhdukjes së shtetasit Ervis Martinaj.
Kontrollet e fundit në Fushë-Kuqe, në banesën e tij, por edhe personave të bashkëlidhur me të, janë pikërisht me kërkesë së Prokurorisë së Posaçme dhe miratim të gjykatës, e cila është një indicie që ndoshta kjo çështje mund të tërhiqet dhe mund të hetohet nga Prokuroria e Posaçme”, theksoi ai.