Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, i cili do të zhvillojë punimet përgjatë tre ditëve, i organizuar në evente të ndryshme.
Forumi Ekonomik Botëror është Organizata Ndërkombëtare për Bashkëpunim Publik-Privat, i cili angazhon udhëheqësit kryesorë politikë, të biznesit, kulturor dhe faktorë të tjerë të shoqërisë për të formuar axhendat globale, rajonale dhe të industrisë.

“Sigurimi i Infrastrukturës kritike” është njëri prej sesioneve gjatë së cilës Kryeministri Rama së bashku me pjesëmarrës të tjerë, diskutuan mbi çështje të sigurisë kibernetike, dhe mundësitë që liderët e biznesit dhe politikës të mobilizojnë një përgjigje kolektive për të mbrojtur asetet kritike dhe për të zbutur dëmin sistemik, në një kohë kur sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara.
Gjatë diskutimit të tij, Kryeministri Rama u shpreh ndër të tjera: “Ia dolëm të bëheshim për 6-7 vitet e fundit një vend me 95% të shërbimeve të veta publike tërësisht në internet. Nuk ka më nevojë që të kontaktosh zyrat, burokracinë, e kështu me radhë. Kjo ka ndihmuar shumë sigurisht dhe po e përmirësojmë çdo ditë. Por në të njëjtën kohë na ka ekspozuar shumë. Vitin e kaluar ne u sulmuam nga Irani në mënyrë masive, shumë rëndë. Sigurisht bëmë më shumë vëmendje në çdo hap një hetim të tërësishëm të ndihmuar nga ekipi i Microsoft, ekipi i FBI dhe ekspertë te tjerë përpara sesa të dilnim me këtë akuzë të bazuar në fakte dhe ende jemi të sulmuar, praktikisht ditë pas dite.

Në një farë mënyrë bekimi i teknologjisë na bëri të shihnim dhe anën tjetër që është mallkim i teknologjisë. Megjithatë edhe pse nuk kemi një siguri kibernetike të fjalës së fundit, ne arritëm që të shmangnim zhdukjen tërësore të sistemeve që kishim dhe praktikisht shmangëm humbjen e të dhënave çka ishte dhe synimi i sulmit. Ne kemi rezistuar mirë krahasuar me synimin e agresorëve. Bazuar në raportin që ishte tërësisht autonom dhe i pavarur nga qeveria shqiptare, ishte shumë e qartë që autorët e sulmit kishin synimin fundor fshirjen tërësore të sistemeve tona, për të na kthyer tek epoka e letrës, epoka e gurit.
Në qofte se krimi kibernetik do të ishte shtet, do të ishte ekonomia e tretë më e madhe e botës pas SHBA dhe Kinës. Dua të shpresoj fort që vendet të mos bëjnë të njëjtin gabim që bënë në fazën e parë të pandemisë, që të vrapojnë e të mbyllen në vetvete duke shmangur bashkëpunimin në kohë reale, sepse kjo është si një pandemi me një rrezik eksponencialisht më të lartë se sa pandemia dhe potenciali i dëmit mund të jetë apokaliptik.”