Mjekja pediatre Sonila Brati foli në Dritare TV për virozat të cilat po qarkullojnë aktualisht në vendin tonë, jo vetëm te fëmijët por edhe te të rriturit. Mjekja tha se ka një fluks të rritur të fëmijëve të sëmurë, të cilët shfaqin kryesisht simptoma si temperaturë e lartë që zgjat deri në një javë.
“Jemi në situatë të ngarkuar me viroza dhe grip, me një lloj virusi të ri që tashmë është konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik, kështu që ka një ngarkesë të shtuar këto ditë të janarit. Pavarësisht se rritja e rasteve dhe këto simptoma që po shohim tek fëmijët kanë filluar rreth 15 ditëshit të dytë të dhjetorit. Këto ditë vërehet të ketë një fluks të rritur të të gjithë fëmijëve duke filluar që nga bebet e vogla, fëmijët e çerdheve, të kopshteve të shkollave, adoleshentëve ndërkohë që edhe të rriturit janë të prekur nga ky lloj virusi.
Të themi që e gjithë kategoria e popullatës është e prekur nga këto viroza. Kështu që janë disa simptoma që dominojnë por ajo që është karakteristike është temperature shumë e lartë që zgjat 5 ditë, 7 ditë ose dhe më tepër. Por kemi parë që edhe në ditën e tetë na kanë ardhur fëmijë më temperaturë 39, pra është një virozë agresive. Simptomat janë dhimbje fyti, dhimbje koke, temperaturë, dhimbje muskuj, kollë e thatë shpeshherë, që ngjason me atë të periudhës së kovidit. Kemi rikthim edhe të diarresë dhe të vjellave, dhe përgjithësisht dominojnë infeksione e rrugëve të poshtme respiratore, laringu trakeite, bronshitet, bronkopneumoni por kemi pasur dhe fëmijë që janë ekzaminuar me pneumoni këto ditë”, u shpreh mjekja Brati.Lexo.al