Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka kërkoi më shumë vigjilencë në luften ndaj anti-semitizmit dhe urrejtjes racore.
Gjatë një aktiviteti për të kujtuar shfarosjen e 6 milionë hebrenjve në kampet e e regjimit nazist, Xhaçka përmendi rolin e Shqipërisë kur hebrenjtë kishin nevojë.
OLTA XHAÇKA
MINISTRE E PUNEVE TE JASHTME
“Mbrojtja e këtyre vlerave kërkon veprim konkret. Lufta ndaj antisemitizmit dhe çdo lloj forme tjetër të racizmit kërkon qasje aktive nga qeveritë për të ruajtur kujtimin e Holokaustit dhe për të edukuar me vlerat e humanizmit dhe anti-diskriminimit, në shkollat tonë, në familjet tona, në komunitetet tona. Shqiptarët ditën të ruajnë vlerat e vërteta njerëzore të popullit tonë. Shqipëria u shndërrua në strehë të sigurt për hebrenjtë, e vetmja në Evropë ku numri i hebrenjve pas luftës pothuajse u dhjetëfishua. Është me vend të kujtohet kjo histori shqiptare e shpëtimit të hebrenjve jo vetëm sepse na bën, me të drejtë e krenarë. Por edhe sepse na mëson si të mbrojmë vlerat njerëzore, si të luftojmë urrejtjen, si të luftojmë anti-semitizmin.”
Viktimat e Holokaustit i kujtoi edhe kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke veçuar reagimin e Shqipërisë në atë periudhë.
Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një ceremoni të veçantë në Memoralin kushtuar hebrenjve në Parkun e Liqenit.
ERION VELIAJ
KRYETAR I BASHKISE TIRANE
“E kujtojmë Ditën e Holokaustit si një mënyrë jo për të vajtuar kohën ose humbjet, por si një mënyrë për të kujtuar që ato humbje dhe ato vuajtje të mos ndodhin më; të mos i ndodhin jo vetëm popullit hebre, por të mos i ndodhin asnjë populli tjetër. Teksa Europa është sërish në luftë, nuk besoj se ka një moment më të përshtatshëm për të kujtuar se cilat gabime nuk duhen bërë më në histori dhe cila është mënyra për t’i bashkuar e jo për t’i përçarë kombet”.
Personalitetet izraelite, po ashtu të pranishëm në ceremoni, vlerësuan mikpritjen e Shqipërisë për hebrenjtë.