Sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës, duke përfshirë objektet energjetike, janë përshkruar si krime të mundshme lufte nga zyra e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Amnesty International.
Që nga tetori, Rusia ka kryer sulme ndaj infrastrukturës së energjisë, duke lënë pa energji miliona ukrainas.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka akuzuar Rusinë se po përdor “dimrin si armë” në luftë, duke sulmuar infrastrukturën kritike ukrainase.
Konventat e Gjenevës dhe protokollet shtesë të formuara nga gjykatat ndërkombëtare thonë se palët e përfshira në një konflikt ushtarak duhet të bëjnë dallimin midis “objekteve civile dhe objektivave ushtarake”, dhe se sulmet ndaj objekteve civile janë të ndaluara.
Ky ndalim është i kodifikuar edhe në Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila në fillim të këtij viti hapi një hetim për krime të mundshme lufte në Ukrainë.
Kjo duket e qartë, por në pjesë e infrastrukturës në pronësi dhe e përdorur nga civilët, mund të jetë gjithashtu një objektiv ushtarak. Objektivat ushtarake përkufizohen si “ato objekte që nga natyra, vendndodhja, qëllimi ose përdorimi i tyre japin një kontribut efektiv në veprimet ushtarake” dhe shkatërrimi ose kapja e të cilave “ofron një avantazh të caktuar ushtarak”.
Infrastruktura e energjisë është konsideruar prej kohësh një objektiv i vlefshëm ushtarak për sa kohë që mbështet aktivitetet e një ushtrie armike, edhe nëse sistemi mbështet gjithashtu popullsinë civile, shkruan eksperti i Ligjit ushtarak, Michael Schmitt, në blogun “Artikuj të Luftës”.
Ndërsa, sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës së energjisë janë intensifikuar, duket gjithnjë e më e pamundur që forcat e saj të armatosura të mund të tregojnë përfitim “të caktuar” ushtarak për çdo sulm.
“Thënë thjesht, forcat ruse pothuajse me siguri po godasin shumë objektiva që nuk kualifikohen si ushtarake”, argumenton Schmitt.
Rusia thotë se sulmon objektiva ushtarake, përfshirë infrastrukturën energjetike.
Edhe nëse disa nga objektivat mund të konsiderohen si objektiva ushtarake, ky nuk është fundi i historisë, thotë Katharine Fortin, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Utrecht.
Ushtria duhet të marrë parasysh nëse dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga civilët në sulme të tilla janë të tepërta, në krahasim me avantazhin konkret dhe të drejtpërdrejtë ushtarak, tha ajo.
“Në këtë rast, humbjet e rastësishme të jetës dhe lëndimet e civilëve që mund të priten, duken shumë të mëdha, duke pasur parasysh se ndërprerjet e energjisë elektrike po e bëjnë të pamundur që, për shembull, kirurgët të vazhdojnë punën e tyre, po ndikojnë në qasjen e njerëzve në kujdesin shëndetësor dhe po krijojnë kushte në të cilat njerëzit e cenueshëm po vdesin për shkak të të ftohtit ose urisë”, tha ajo për Reuters.
Nigel Povoas, kryeprokuror për një ekip ekspertësh ndërkombëtarë që ndihmojnë hetuesit e krimeve të luftës në Kiev, i tha Reuters-it se sulmet ruse në dy muajt e fundit janë “përqendruar në eliminimin e infrastrukturës thelbësore për mjetet e mbijetesës civile, si ngrohje, ujë, energji elektrike dhe objekte mjekësore”.
Të dy, Schmitt dhe Povoas thonë se shkalla dhe intensiteti i sulmeve mund të vlerësohen gjithashtu si “akte ose kërcënime dhune, qëllimi kryesor i së cilave është përhapja e terrorit në mesin e popullatës civile”.
Kjo është e ndaluar sipas Ligjit ndërkombëtar humanitar dhe është konfirmuar si krim lufte nga vendimet e gjykatës së OKB-së për ish-Jugosllavinë në lidhje me rrethimin e Sarajevës.