Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Akademinë Diplomatike të Vjenës ku ndodhet në një vizitë zyrtare, ka folur edhe për varret masive që janë gjetur në afërsi të Beogradit. Gjatë fjalimit të tij, ai ka deklaruar se në periferi të Beogradit janë gjetur trupat e më shumë se 744 shqiptarëve në një varr masiv, duke shtuar se pranë këtij varri është ndërtuar një kishë ortodokse serbe. Mes të tjerash, kryeministri tha se mes trupave të gjetur, kanë qenë edhe 14 fëmijë nën moshën 15 vjeçare, dy foshnje dhe një grua shtatzënë.
“Nën një poligon qitjeje të policisë në periferi të Beogradit, në Batajanicë, jo larg “Sheshit të Republikës” së Beogradit, trupat e më shumë se 744 shqiptarëve u gjetën në një varr masiv. Ata trupa u varrosën në Kosovë, pastaj u zhvarrosën dhe u transportuan në Serbi për rivarrim të fshehtë në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve të luftës. Midis këtyre trupave ishin dyzet e gjashtë anëtarë të familjes Berisha; 14 prej tyre nën 15 vjeç, mes tyre dy foshnje dhe një grua shtatzënë. Pranë varrit masiv është ndërtuar një kishë e re ortodokse serbe”, ka thënë Kurti. Sipas mediave të Kosovës, Kurti tha se deri më tani janë gjetur pesë varre masive me gjithsej 950 trupa. Ai shtoi se Serbia që është autore e gjenocidit të ndodhur dy dekada më parë, mohon krimet dhe sillet si viktimë.
“Deri më sot, në Serbi janë gjetur pesë varre masive, në Batjanicë, Rudnicë, Kizhevak, Peruqac dhe Petrovo Selo me gjithsej 950 trupa. Megjithatë, nuk ka një pllakë përkujtimore dhe as një shenjë të vetme që tregon se ka pasur një varr masiv në të gjitha këto vende. Sot, autori që kreu gjenocid vetëm pak më shumë se dy dekada më parë vepron si viktimë dhe mohon krimet. Mohim i plotë. Por ne nuk harrojmë.”, shtoi Kurti.