Lezha ka sjell në kujtese 320-vjetori i Kuvendit të Arbrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit, pas Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit. Në kishën ku u mbajt kuvendi në fshatin Mërqi, u organizua një veprimtari përkujtimore ku morën pjesë historianë, autoritetet lokale dhe përfaqësues nga trevat shqipfolëse. Pjesë e veprimtarisë ishte dhe promovimi i relacionit të Imzot Vinçens Zmajeviç, botuar në gjuhen shqipe.

“Në përfundim të punimeve të Kuvendit u nënshkrua dekreti, të cilin e botoi në latinisht imzot Vinçens Zmajeviç. Aty tregohet se kleri katolik shqiptar qëndroi me popullin dhe i parapriu Rilindjes Kombëtare”, tha studiuesi Dom Nik Ukgjini.

Historiani i njohur Pëllumb Xhufi vlerëson se është ngjarje e madhe për historinë e vendit.

“Këtu është shkruar një nga faqet më të rëndësishme të historisë së kombit”, tha ai.

Ndërsa kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu u shpreh i kënaqur për faktin se në këtë përvjetor marrin pjesë personalitete nga të gjitha trevat shqiptare.

Kuvendi Kishtar i Arbrit ishte një mbledhje e klerit katolik shqiptar, mbajtur më 14-15 janar 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit në fshatin Merqi të Lezhës, me përkrahjen e Papës me prejardhje shqiptare Klementi XI. Ndër vendimet kryesore ishin hapja e shkollave dhe botimet ne gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan përgjatë shekujve të XVIII dhe XIX.