Turqia prezantoi armë të reja dhe dërgoi një tjeter mesazh për fqinjët e saj. Ministri turk i Mbrojtjes gjatë inaugurimit të nëndetëses Piri Reis lëshoi ​​një paralajmërim kundër Athinës. Ai tha se Ankaraja nuk do të lejojë shtrirjen e ujërave territoriale greke përtej 6 miljeve.

HULUSI AKAR, MINISTRI TURK I MBROJTJES

Detyra jonë është të mbrojmë interesat dhe të drejtat tona në Egje, Mesdheun Jugor dhe Qipron. Nuk ka si të tërhiqemi. Nuk do të lejojmë që asgjë të cenojë të drejtat tona. 6 milje është pika më e lartë e kufijve që mund të arrijnë. Përtej këtij kufiri, ne nuk pranojmë asnjë zgjerim të ujërave territoriale.

Ministri i mbrojtjes u shpreh se Turqia nuk ka kërcënuar kurrë askënd, por Greqia sipas tij duhet te mësojë nga historia.

HULUSI AKAR, MINISTRI TURK I MBROJTJES

Thonë se Turqia është një kërcënim. Ne si Turqi nuk kërcënojmë askënd. Nuk e kemi kërcënuar kurrë Greqinë! Turqia është një aleat i fortë dhe i mirë. Por më vitin 1919, me nxitjen dhe provokimin e disa vendeve, tentativa për pushtimin e Anadollit dështoi. Ne u themi, mësoni nga historia, mos u futni në telashe, mos u futni në aventura të reja, mos i shpërdoroni të drejtat dhe interesat e popullit tuaj për të drejtat dhe interesat e vendeve të tjera.

Gara e armatimeve mes dy fqinjëve u intensifikua në fund të qershorit, kur Greqia njoftoi se do të kërkonte blerjen e avionëve F-35 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ana tjetër Turqia prezantoi obusët e rinj,”Stuhia”, tankun e ri “Altai”, mjete ajrore pa pilot si dhe versionin e fundit të dronit Bajraktar.