Nga Kristo MËRTIRI/

Në atë ministri ishin orët e mia të fundit(fillimmarsi 2004). Ato ditë jo të lehta për mua dhe familjen time, një nga rojet e Ministrisë më lajmëroi se të kërkon me këmbëngulje një shok i ardhur nga Greqia. Ishte poeti Vasil Dede. Zbrita shpejt dhe u takuam plot mall. Ish taverna e hotelit “Arbëria” që ne gazetarët e thërrisnim “bodrum”, qe kthyer në kafene kryesisht për punonjësit e dikasterit. Zakonisht, për refugjatët lija cdo punë në zyrë dhe i mbaroja pasditeve vonë. Me Vason bisedova gjatë rreth filxhanit të kafesë. Sapo qe rikthyer nga udhët helm të kurbetit të detyruar dhe nuk do të shkonte më. Me një mijë halle mbi shpinë!

Në kuvendim e sipër si dy miq të hershëm po vrisnim mendjen se ku mund të sistemohej me punë. Dikur në Tiranë shpatullat e tij të gjera kishin provuar padrejtësisht profesionet e minatorit, të ndërtuesit e rojes, por edhe atë të mësuesit e gazetarit. Kur unë po mbaroja Universitetin(pas shërbimit të sforcuar ushtarak), djaloshi nga Postenani do të nxirrte vëllimin e parë poetik “Lule mbi burime”. Hyri natyrshëm mes poetëve të rinj e të vjetër, me vargun e ëmbël e dinjitoz. Lexuesit po e takonin gjithnjë e më shpesh nëpër faqet letrare të shtypit të kohës. Jetë me të përpjeta e tatëpjeta, me erëra egërshane që iu qepën e nuk iu ndanë asnjëherë. Ashtu pranë njeri-tjetrit edhe si dy bashkëvuajtës në emigracion, befas na e preu fillin e mendimeve polici i shërbimit:”Më falni, ju kërkojnë në telefon nga Kryeministria…”. U ngrita, i dhashë lekët kamerieres bashkë me porosinë për ndonjë kërkesë tjetër të Vasilit. “Mos u largo pa ardhur unë”. Dhe ngjita shkallët me një ngarkesë tjetër dëshpëruese. Kërkohej një “Njoftim Shtypi” i shpejtë.

Mirëpo, besimi i tepëruar shpesh është më i keq se mosbesimi. Sepse në këtë botë, nuk ka njeri pa një hall mbi kokë ! Dhe nuk thotë kot i mocmi i mencur : Dy gisht ballë vlejnë sa koka. Vasos i kërkova ndjesë për vonesën, teksa po më fuste në dosje një letër-lutje në vargje. Ishte taze.

Lutje poetike e pak sarkastike, të cilën e gjeta tani të paprekur pas 19 viteve ! E titulloi “Më jepni një lopatë”. Ja origjinali, lexojeni për herë të parë: “Jepmëni punë/ Më cmëndi Bota/ S’ka gjë pse udhët/ Gjeta me gropa./ Pastrova kazanë/ Hapa hendekë/ Jepmëni punë/ Vec punë të jetë !/ Jepmëni punë/ Rrugëve mos më lini/ Di të mbjell, të krasit/ Ta dini./ Jepmëni punë/ Mes Tiranës të dal/ Të paktën një lopatë/ Me inventar./ C’më shihni si guakë/ Varfëri, varfëri !!!…/ Më jepni një lopatë/ TË PUNOJ SI NË GREQI” (P.s. Këtë vjershë e shkrova te kafja e Ministrisë së Drejtësisë. Them se, me drejtësi kam bërë dicka që është e vërtetë…Apo jo ?! Autori).

Përpjekjet për punë shkuan dëm, përjashto ndonjë honorar të vogël krijimtarie që nuk i siguronte dot as bukën e përditëshmë. Bashkëshortja Mimozë, këngëtare popullore jo dosido, ia mbante ndezur durimin, ëndrrat, guximin e shpresën. Bashkë me Xhevahir Spahiun zemërbardhë që piqeshin gati përditë te kafe “Europa”. Rrëfenjat për Postenanin e Leskovikun në një “cep të Shqipërisë së Poshtme” nuk shteronin. Që nga Zylyftar Poda mustaqeverdhë që mbeti majë e ndritur mbi Melesinin maja-maja; banjot e famshme termale të Sarandoporit dhe ato me avull të Postenanit; sazet e papërsëritshme të Hafize e Selim Leskovikut; pylli i Shelegurit; vreshtat me emër të rakisë e verës shekullore; qershitë zjarrndezura të Radovës dhe gjer te figurat kombëtare Jani Vreto, Faik Konica etj. Bashkë kujtuam edhe përndjekjet këmba-këmbës nga shikasit kokëtulë të Gazidedes: “-Ore Kristo vëllai, ti nuk e di plotësisht c’kam hequr unë nga ata zagarë që më vonë do vinin dorë edhe mbi “Lorkën” tonë, mbi Xhevon e kulluar…

Në gazetën “Kombi” u botuan nja dy shkrime me pseudonimin “Vaso Postenani”. Ishin të mira, por për mua u bënë rrodhe ankthi në cdo hap. Mendonin se i bëja unë dhe më paralajmëruan kafshërisht…Shyqyr që ishe ti në gazetë dhe nuk doli më ai pseudonim !”. Dhe qeshnim jo pak, të dy tashmë të pa punë. Ndërsa unë i kujtova një episod në Sheshin “Omonia”, ku për pak u përlesh seriozisht me një refugjat mashtrues që kish botuar një libër në shqip e greqisht me autor Vasil Dede(kish ndërruar identitetin dhe besimin fetar!). Oi, oiii !,-klithte Xhevua i irrituar, teksa dëgjonte adhape të tilla…

                        Për xha Minanë dhe Agathinë (prindërit) në Postenan, më kish folur me dashuri pedagogu ynë i nderuar që po shkon te nëntëdhjetat, i miri Piro Papalilo, bashkëfshatar: “-Ishim në aksionin e Rinisë në Leskovik si fakultet. Unë fluturoja i tëri, më pushtoi era e vendlindjes me ato arrat e famshme që rrethojnë Postenanin fund e krye. Gjeta edhe Vason atje. Xha Minai, bekshiu i fshatit, i zgjuar e plot humor, atyre që qenë larguar nga trojet ku u ra koka, nuk harronte t’u bënte një “provë” a t’i peshonte vetë. Dhe në xhepa mbante ca grushte arrash nga pemë të ndryshme : Nxirrte të parën dhe pyeste se të kujt janë ? Unë iu përgjigja saktë, është arra e filanit. Vazhdoi me të dytën, të tretën e të katërtën…Kur ia thashë tamam dhe “testi” doli me sukses, më përqafoi, mbushi gotat e rakisë të zier dy herë dhe tha: – Gëzuar, ky djalë është vërtet nga Postenani ! Më lejoni ta kthej me fund. Ndërsa Gathua nuk i vonoi glikotë etj.”…

Se gjuha dhe njerëzit janë tapia e vendit ! Kush e tha i pari ?

                        Pak ditë më parë po shfletoja librin e tij të fundit “Mbi rrotat e Botës udhëtoj”, botuar pas 17 viteve, në emigracion. “Është shpërthimi në vargje i gjoksit të tij të rebeluar, metafora jo vetëm e jetës së tij, po e gjithë bashkëvuajtësve kudo nëpër botë”. Ma fali në zemër të Athinës, në rrugën “Monastiraqi”, atje ku ngarkonte e shkarkonte maunet si hamall. Ca pika djerse të përthara janë ende mbi kopertinë…Pak më vonë filloi të shiste libra shqip nëpër sheshet e refugjatëve, bashkë me Mozën. Por policia e quante “punë të zezë”, njëlloj me drogën që mbyste metronë e rrugët(?). Ua rrëmbente shpesh me dhunë dhe i thëërriste të dy nëpër zyra e zgjyra me frymëzim racist, “vorioepiriot” e injorancë djallëzore. Ish mësuesi i rrethit të Kolonjës, poeti e gazetari Vasil vazhdonte përballjen me fatin kob. Po kështu kur u rikthye në Atdhe. Nuk e begenisi asnjë zyrtar i shtetit amë ! Kur e ngacmonte Moza jo pa humor e i thoshte shpesh se ke bërë dhjetra vjersha e këngë për mimozat e celura, për mua një varg s’ke thënë, ai meditonte me buzëqeshjen e vrarë në fytyrë dhe një ditë iu përgjigj me shkrim: “E c’rëndësi ka e dashur,/ Të mundon kjo që thua ?/ Lulet e Mimozës thahen,/ Ti rri e celur për mua”… Ndërsa gjatë ’97-ës zezonë, ka lënë vetëm 10 vargje për Berishën, sidomos kur u përgjak Përmeti i trëndafilave, i paqes e i kabave:”C’mu desh mua si poet/ Ta ndaj këtë togfjalësh ?/ BER-bagëti/ BISHË-ulkonjë;/ Atëherë them:/ -BERISHË, s’je për vendin tim !”.

Lutja e poetit në bodrumin e Ministrisë së Drejtësisë !

Papritur, Vasil Dede i mbylli sytë përgjithmonë në Tiranë. 61 vjec ! Koncertet me Mimozën dhe tekstet e këngëve aq të bukura nuk e mbajtën dot me bukë as për veten e as për fëmijët. As për një strehë ku të fuste kokën. Polit(h)ika putanë as që u kujtua ndonjëherë për të. Lotët e shokëve e miqve pikuan dhimbshëm si hardhitë e prillit në Postenan…Por njerëzia ka vite që dëgjon e ndoshta këndon si nën zë edhe atë këngën e interpretuar nga Mimoza e tij e shtrenjtë “Zura një bilbil me besë”(me besë, jo me vesë). Deri 13 vite më parë e kishin dëgjuar gati 100 mijë shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë. Po gjer më sot? Nuk e di saktë se sa është përmbushur Amaneti i Mozës, që kur të shuhej bilbili Vaso nën përgjimin e një hëne nga parmaku i penxheresë, të mos e qanin me oi-oi : “As me ujë mos e lani,/ As me verë e me raki,/ Amanet, o miq, ma lani,/ Vetëm me lotët e mi !”. Dhe lexoj e rilexoj atë Lutjen poetike të panjohur shkruar 19 vite më parë në bodrumin e Ministrisë së Drejtësisë. Se 4 librat e tij do të rrojnë gjatë dhe nuk do jenë kurrë si “nata pa xixëllonja, pa hënë e pa dritë”…