Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka folur në lidhje me nismat për bashkimin e PD-së.
Sa i përket propozimit që emri i tij të jetë ai që zëvendëson Enkelejd Alibeajn si kryetar i grupit parlamentar të PD, ai tha se është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ndihmuar bashkimin e partisë, qoftë të marrë përsipër përgjegjësi, qoftë duke lënë mandatin e deputetit nëse shihet e nevojshme.
Salianji ka shtuar se nisjen e bashkimit të PD e sheh para fushatës zgjedhore, por se nëse vijon puna për të uzurpuar pozicione të caktuara, ka sqaruar se do të merren masat e nevojshme.
Pjesë nga biseda në studio:
Nisma për vendosjen tuaj në krye të grupit, çfarë mund të na thoni?
Salianji: Ka qenë një nismë për bashkim, ndaj gjatë të gjithë kohës nuk kam mbajtur një qëndrim se nuk mund të flihet vetëm për persona kur duhet të gjejmë çdo mënyrë për bashkim. Ka pasur propozime nga kolegët, që mund të ishte një nga mundësitë për bashkim por nuk është biseduar vetëm emri im. Nuk do të flas derisa të arrihet një zgjidhje për bashkim. Unë jam në dispozicion edhe të lë mandatin dhe të marr përgjegjësinë nëse do jetë nevoja. Nuk jemi më në kushtet kur bëhet fjalë për numra, por do tu japim kohë kolegëve për të reflektuar se cila është mënyra për tu bashkuar.
Do arrihej bashkimi nëse do jeni ju në krye?
Salianji: Ndaj them nuk flas sepse nuk varet nga unë. Shoh një përpjekje për bashkim. Këtë herë kemi një grup më të madh të grupit që mbështesin në terren kandidatët e Primareve, konsensusi do të jetë i gjerë. Nuk do merren akte të njëanshme për të treguar kush ka shumicën. Kohë ka. Do të nisë para fushatës. Nëse nuk do ketë konsensus dhe do i qëndrohet tentativa ve për uzurpimin e pozicioneve të caktuara, pa dyshim do të ketë masa.Berisha po bën një lëshim për të arritur konsensusin, ka tentativa për ta bashkuar PD dhe për ta bashkuar me opozitën.
Pas vendimeve të Alibeajt qëndron Basha?
Salianji: Nga dita e parë kur është detyruar të largohet, kur ka dhënë një dorëheqje të detyruar, Basha nuk ka pasur një dorëheqje, nuk çon as shkresën për tu dorëhequr si kryetar partie në gjykatë.
Do konfirmohet shumë shpejt se janë në një projekt për të hapur një parti të re, që nuk i shërben PD. Cilido që ka ambicie politike, përfshirë edhe Bashën që mori një PD të madhe dhe la një PD të vogël, le të hapë një parti të vetën.
Kam pasur një mbështetje të fortë për Bashën, por nuk mund të jem miop dhe të shoh që ka një realitet tjetër. Secili duhet të ripozicionohet, por nuk mund të mbahet peng partia dhe opozita për ambicie. Iu dhanë shumë mundësi.
Keni komunikim me Bashën?
Salianji: Ne që kemi marrë iniciativën për bashkim, do takonim edhe Bashën si anëtar i grupit parlamentar, por nuk mundëm sepse sa doli fjala u morr vendimi për përjashtimin e katër deputetëve nga grupi.