Sali Berisha ka mohuar fort këto ditë njohjen e tij me Agron Nezën, ‘Personi A’ në dosjen e famshme të Charles McGonigal, ish zyrtarit të lartë të FBI, tashmë nën akuzë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndonëse në rrjet ekziston foto dhe një deklaratë e Agron Nezës, Berisha edhe sot ka insistuar se nuk e njeh. Pas kaosit që krijoi në Kuvend për çështjen e agjentit të FBI-së, McGonigal dhe mbylljes së seancës plenare, Berisha nuk ka pranuar asnjë nga deklaratat e Agron Nezës, i identifikuar ndryshe si Personi A.

Report Tv ka mësuar nga burime për një takim të zhvilluar në vitin 2000 mes Berishës, Nezës dhe dy personave të tjerë, një avokat italian James Lombardi si dhe një prej njerëzve më të besuar të Berishës, Ridvan Bode. Takimi ka zgjatur rreth 2 orë dhe është biseduar për lobim në Shtetet e Bashkuara që imazhi i Berishës atje të përmirësohej për shkak se ishte në një ‘listë të zezë’ prej asaj që kishte ndodhur në vitet 1997 dhe 1998.

Fotoja me Berishën dhe një sërë komunikimesh dhe letrash që Neza disponon vërtetojnë sipas tij tërësisht njohjen dhe hedhin poshtë qëndrimin e ish kryeministrit që bën sikur nuk e njeh. Madje Neza rezulton se është i vetmi dëshmitar i mbetur gjallë i një takimi befasues për Berishën të ndodhur më 15 Dhjetor 1991, ndërmjet tij, Azem Hajdarit, Agron Nezës dhe Luan Pobratit.

“Unë nuk e njoh personalisht atë. Nuk kam asnjë lidhje. Ai ka punuar në shërbim në qytete të ndryshme”, thoshte Berisha në dalje për mediat pasi u përmend emri i Nezës si i përfshirë në dosjen amerikane.

Emri i Agron Nezës del si personi A në dosjen e ish zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal që po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njëra prej akuzave lidhet me mos deklarimin e 225 mijë dollarëve, të cilat i kishte marrë nga një shqiptaro amerikan me emrin Agron Neza. Në rastin tjetër akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara./Shqiptarja.com