Ministri i Mbrojtjes zoti Niko Peleshi mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës që u zhvillua në Bazën Ajrore në Ramstein, Gjermani më 20 janar 2023.
Ky ishte takimi i tetë i ministrave dhe shefave të shtabit të mbi 50 vendeve të botës si dhe të Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Takimi që u drejtua nga Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve z. Lloyd J. Austin III u fokusua në vijimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, si dhe çështjet e tjera të sigurisë, me të cilat përballen Aleatët dhe Partnerët e NATO-s.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vlerësoi popullin ukrainas për kurajon dhe vendosmërinë e treguar si dhe lidershipin e qeverisë, teksa po mbushet një vit që nga nisja e luftës. Gjithashtu, ministri Peleshi i shprehu ngushëllime ministrit ukrainas për jetët e humbura nga sulmet e fundit ruse ndaj popullit ukrainas.
Më tej, Ministri Peleshi përmendi kontributin që Shqipëria ka ofruar për Ukrainën, ndërsa njoftoi përgatitjen e një pakete tjetër të konsiderueshme mbështetje.
Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën (UDCG), është një iniciativë e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, që mbledh së bashku aleatë dhe partnerë nga e gjithë bota, për të diskutuar mbi bashkëpunimin dhe sfidat e sigurisë që duhen përballuar si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.