Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA u prit në Pentagon nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III.
Bisedimet e tyre u fokusuan në vazhdimin e bashkëpunimit strategjik të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara te Amerikës në mbrojtje dhe siguri si dhe në forcimin e dialogut politik.
Sekretari Austin dhe ministri Peleshi diskutuan për ndihmën që iu dha Shqipërisë nga Garda Kombëtare e Nju Xhersit pas sulmit kibernetik dhe ranë dakord të vazhdojnë të punojnë së bashku për të forcuar edhe më aftësitë e mbrojtjes kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes Peleshi shprehu falenderimet për mbështetjen e menjëhershme që dhanë ekipet e specializuara Amerikane të mbrojtjes kibernetike, ndërsa shprehu nevojën që mbështetja e SHBA të jetë më e zgjeruar edhe për sistemet e tjera në vend, veç atyre të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë bisedës, Ministri Peleshi e konsideroi vitin e kaluar, vit rekord sa i përket projekteve të përbashkëta me SHBA, duke përmendur këtu nisjen e punës për bazën taktike të NATO-s në Kuçovë, modernizimin e Forcës Ajrore me helikopterët Black Hawk, si dhe projektet në edukimin ushtarak, etj. Ministri Peleshi i prezantoi Sekretarit amerikan të Mbrojtjes edhe projektin e portit të ri të Porto Romanos si dhe rëndësinë strategjike që ky port ka për rajonin, Evropën Juglindore dhe Aleancën e NATO-s.
Ministri Peleshi theksoi angazhimin e vendit tonë për të qenë faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë, ndërsa u shpreh se Kosova është interesi ynë Strategjik Kombëtar dhe ne e mbështesim aspiratën euroatlantike të Kosovës.
Sekretari Lloyd J. Austin III falënderoi ministrin Peleshi për pritjen që Shqipëria i bëri Stërvitjes Defender-Europe 21 dhe të Brigades së Ndihmës së Forcave të Sigurisë së Ushtrisë Amerikane. Sekretari Austin përgëzoi ministrin Peleshi për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, për angazhimin në NATO dhe përfshirjen në të gjitha operacionet e Aleancës.