Napoli fitoi 5-1 me Juventusin për javën e 18-të në Serie A. Vendasit e Spallettit “shkërmoqën” bardhezinjtë e Allegrit dhe shkëputen në krye të Serie A. Në stadiumin “Diego Armando Maradona”, në praninë e 55 mijë tifozëve vendasit nuk zhgënjyen edhe njëhere, teksa një nga golat e shënoi edhe Amir Rrahmani. Pas tetë fitoreve radhazi dhe po kaq ndeshjeve pa pësuar gol, Juventus u ndëshkua pesë herë në mbrëmjen e së premtes.
Gjithçka nisi në minutën e 14, kur Osimhen kaloi në avantazh vendasit. Për golin e qetësisë mendoi Kvaratskhelia në minutën e 39, ndërsa Di Maria në minutën e 42 rihapi takimin.
Kur dukej se pjesa e dytë do kishte tjetër fytyrë për Juventusin, ishte Napoli që shënoi tre herë. Amir Rrahmani në minutën e 55, Osimhen në të 65 (dopietë) dhe Elmas në të 72 minutë “likuiduan” Juventusin duke kthyer bardhezinjtë me këmbë në tokë.
Pas ndeshjes hapëse të javës së 18-të, Napoli me 47 pikë kryeson renditjen, ndërsa Milan dhe Juventus me 37 pikë ndajnë vendet 2 dhe 3.