Ish-futbollisti i madh dhe kapiten i Tiranës, Nuri Bylyku, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare.
Fituesi i disa trofeve të rëndësishme në klubuin bardheblu pas mbylljes së karrierës ushtroi për disa vite edhe profesionin e trajnerit, duke drejtuar Tiranën drejt disa sukseseve të tjera. Për ndarjen e Bylykut nga jeta ka reaguar klubi i Tiranës duke shkruar: “Nuri Bylyku 1937-2023. Yje që nuk shuhen kurrë!”
Sakaq një mesazh nuk mungoi as nga presidenti i FSHF-së Armand Duka: “I trishtuar për ndarjen nga jeta të një figure të madhe të futbollit shqiptar siç ishte Nuri Bylyku! Mesfushori i shquar mbahet mend nga të gjithë futbolldashësit si një lojtar energjik e luftarak, që drejtoi Tiranën në fushë si kapiten drejt fitimit të disa titujve kampion në vitet 1960-1970.
Pas karrierës në futbollin e luajtur Bylyku nuk u shkëput për asnjë çast nga sporti magjik, duke dhënë kontributin e tij si trajner apo në rolet drejtuese në klubin kryeqytetas për vite me radhë.
Familja sot është në zi, pasi ka humbur një personalitet me shumë vlera, një ikonë, që shkroi historinë me klubin bardheblu dhe i dha gjithçka futbollit gjatë gjithë jetës së tij.
Në emër edhe të komunitetit të futbollit, dua t’i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Bylyku, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm!
Lamtumirë Nuri Bylyku!”
Trupi i Nuri Bylykut do të përcillet për në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës.