Gazetari dhe spikeri britanik Nick Ferrari dhe ministri për Emigracionin Robert Jenrick përplasen gjatë një interviste live për gjuhën e përdorur prej tij ndaj shqiptarëve.

“Një incident diplomatik është shkaktuar nga publikimi i një videoje promovuese nga ministria që vlerëson ata që kanë gjetur dhe kanë ndaluar emigrantët e paligjshëm nga Shqipëria. Nick Ferrari dhe Ministri Robert Jenrick, i cili publikoi videon, patën një përplasje të ashpër në emisionin e mëngjesit të Nick”, shkruan “LBC“.

Robert Jenrick iu drejtua spikerit: “Nuk jam penduar për videon, por mendoj se është e rëndësishme që të punojmë në mënyrë konstruktive me qeverinë shqiptare ashtu siç jemi duke bërë në të vërtetë.”

Nick e pyeti: “Çfarë është konstruktive?”

“Dua të kemi marrëdhënien më produktive që mundemi me qeverinë shqiptare”, u përgjigj ministri.

“Epo pse i keni ofenduar atëherë?” iu përgjigj Nick.

Ministri Jenrick tha: “Ajo që ne duhet të jemi në gjendje të dallojmë është emigrantët shqiptarë në këtë vend, të cilët ne i respektojmë dhe dëshirojmë të punojmë sa më afër që të mundemi – shtetasit britanikë që janë me origjinë shqiptare, ata që zgjedhin të vijnë këtu legalisht. …dhe ata që vijnë këtu ilegalisht me gomone. Është absolutisht e drejtë që qeveria ka një qëndrim shumë të fortë për këtë dhe është një fokus i veçantë i kryeministrit dhe i imi për të reduktuar fenomenin që pamë vitin e kaluar që ishte një numër shumë i madh i shqiptarëve që erdhën ilegalisht… Shqipëria është një vend i sigurt!”.