Më 1 qershor do të zhvillohet provimi i parë i maturës shtetërore, ndërsa i fundit do të jetë më 19 qershor. Por këtë vit ka ndryshime në rregullore. Pas kërkesave të vazhdueshme të maturantëve, të cilët e kishin kthyer në çështje kryesore mundësinë e rivlerësimit të testit, këtë vit do tu jepet mundësia që jo vetëm të shohin testin e korrigjuar por edhe tu rivlerësohet ai.

Maturanti do të ketë të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit, 1 ditë pas shpalljes së rezultateve paraprake të të gjitha provimeve. Më pas duhet të paraqesë kërkesën për rivlerësim në shkollën ku është i regjistruar, në datën 3 korrik. Fotokopjet e testeve të paraqitura do të shqyrtohen nga dy mësues vetëm për pyetjet e ankimuara dhe ata do të vendosin nëse do ti kalojnë për rivlerësim QSHA. Do të jetë ky institucion që do të bëjë rivlerësimin e testit dhe rezultatet do ti shpallë jo më vonë se data 7 korrik. Një tjetër ndryshim është vendimi për ti zhvilluar provimet në salla me hapësira të mëdha të mjaftueshme për të paktën 150 maturantë dhe për çdo 15–20 maturantë, do të ketë nga një administrator provimi. Në këto mjedise nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim.

Nga ana tjetër vijojnë të mbeten në fuqi rregullat për kalueshmërinë. Nëse maturanti merr më pak se 25% të pikëve konsiderohet mbetës. Maturanti do të përjashtohet nga provimi nëse kapet me celular,ndryshon vendin që i është caktuar apo komunikon me maturantët e tjerë. Nuk do të njihet rezultati nëse testi është dëmtuar apo janë vendosur shenja dalluese si dhe nëse vërtetohet kopja e pjesshme apo e plotë gjatë vlerësimit. Në plotësimi e provimit maturanti duhet të përdorë stilolaps me një ngjyrë, të zezë ose blu.

Në qendrën e provimit duhet të paraqiten 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit dhe duhet të kenë me vete dokument identifikimi.