Nga Alba Malltezi/
Pas vitesh e vitesh të një syri të vëngërt, të një syri grabitqar, të një syri konfliktual, Shqipëria dëshiron të shihet prej nesh ndryshe: me dashurinë dhe ëmbëlsinë që shohim njerëzit tanë më të dashur. E ka kërkuar edhe më parë, por tashmë e pretendon!
Nga Veriu në Jug, me të njëjtin pasion, me të njëjtin intensitet.
Lum kush do të shohë çdo cep të vendit tonë me dashurinë e një alpinisti, me lehtësinë e një atleti, me ndjeshmërinë e një qëndistareje, duke mos harruar për asnjë çast se të gjithë përreth, në radhë të parë, shohim me sytë e shpirtit. Këtë Shqipëria e di më mirë se sicili prej nesh, ndaj e ka nisur këtë eksperiment me më të mirët. Me disa të zgjedhur që marrin vesh.
A ka qenë në gjithë këto vite tranzicioni Shqipëria jonë, një rezultat i vështrimeve tona të gabuara, të ftohta, mosmirënjohëse? A kemi skalitur përreth nesh male pa pemë, lumenj me mbeturina, plazhe të ndotura, qytete me kurthe dëshirash imobiliare të ngatërruara?
Por gjërat kanë nisur të ndryshojnë dhe aty ku shqiptarët më të mirë kanë lidhur sytë e shpirtit të tyre, me punën e duarve, mrekullia ka ndodhur: Aty, tamam aty ku shqiptarët më të mirë kanë nisur të përkedhelin me dashuri tokën tonë, Ajo, si me magji, është bërë më e bukura e të bukurave: Që nga Thethi, në Valbonë, në lumin Shalë, në Fishtë, në Bulqizë, në Kepin e Rodonit, në Berat, në Belsh, në Gramsh, në Pogradec, në Korçë, në Përmet, në Gjirkokastër, në Vlorë, në Sarandë… pa harruar ndryshimin e Tiranës sonë.
Atëherë, qënka e gjitha çështje dashurie? Atëherë, nëse duam një person, një objekt, një vend, ai nis e lulëzon, shkëlqen, zbukurohet, përmirësohet nga dashuria jonë? Apo është kjo dashuri e madhe që nis e na përmirëson ne fillimihst, pastaj shpirtin tonë, sytë, duart e më pas çdo gjë që na rrethon?
Për gjithë 2023, a mund ta shohim çdo cep të Shqipërisë vetëm me këto sy ndryshe të dashuruarish? Shqipëria këtë vit, këtë e pretendon!