Nga Slavoj Zizek

Risillni në kujtesë historinë për eksploruesin që ndesh për herë të parë një fis aborigjen. “A ka kanibalë mes jush?”, pyet ai. “Jo”, përgjigjen ata, “të fundit e hëngrëm dje”. Për të krijuar një komunitet të qytetëruar duke ngrënë kanibalin e fundit, akti përfundimtar duhet të quhet ndryshe. Ai është një lloj mëkati i parë që duhet fshirë nga kujtesa.

Në mënyrë të ngjashme, kalimi në një rend ligjor modern në “Perëndimin e Egër” amerikan u realizua përmes krimeve brutale dhe krijimit të miteve për t’i mbuluar ato. Siç shprehet një personazh në filmin uestern të John Fordit, “The Man Ëho Shot Liberty Valance”, “Kur legjenda bëhet fakt, shtype legjendën”.

Por “faktet” që lindin nga legjendat nuk janë të vërteta, të verifikuara. Përkundrazi, ato janë artefakte shoqërore: ide të përbashkëta që formojnë bazën e rendit ekzistues socio-politik. Nëse mjaftueshëm njerëz do t’i refuzonin ato, i gjithë rendi do të shpërbëhej.

Këto artefakte sociale lejojnë që mëkatet e para të një shoqërie të mbeten në sfond, ku ato vazhdojnë të veprojnë në heshtje, sepse qytetërimi modern ende mbështetet në barbarizëm. Kujtoni se si aparati ligjor i pushtetit u përdor për të sanksionuar praktikën jashtëligjore të torturës duke e quajtur “marrje në pyetje”.

Megjithatë, tani, një lloj i ri fryme politike po shfaqet. Siç vëren filozofja Alenka Zupancic në librin e saj të ri, “Let Them Rot” (në të cilin unë mbështetem gjerësisht këtu), ne kemi gjithnjë e më shumë liderë që krenohen me krimet e tyre “sikur të ishte një lloj ndryshimi moral themelor ose dallimi karakteri, domethënë, ‘të kesh kurajë’, ‘guxim’ për ta bërë atë haptazi”. Por, Zupancic nxiton të shtojë: “Ajo që mund të duket si shkelja e tyre e guximshme e ligjeve shtetërore duke shmangur ‘hipokrizinë’ që kërkojnë ndonjëherë ato ligje, nuk është gjë tjetër veçse një identifikim i drejtpërdrejtë me anën tjetër të turpshme të vetë pushtetit shtetëror. Nuk përbën asgjë tjetër apo ndryshe. Ata po ‘shkelin’ ligjet e tyre. Kjo është arsyeja pse, edhe kur janë në pushtet, këta liderë vazhdojnë të veprojnë sikur janë në opozitë me pushtetin ekzistues, duke u rebeluar kundër tij – e quajnë atë ‘kapje shteti’, apo diçka tjetër”.

Sigurisht, ky përshkrim të kujton imazhet e Donald Trumpit, i cili vetëm këtë muaj bëri thirrje për “anulim” të Kushtetutës së SHBA-së. Por, sigurisht, shfaqjet janë shpërbërë edhe në Rusi. Për dhjetë muaj presidenti Vladimir Putin këmbënguli se nuk kishte luftë në Ukrainë dhe rusët e zakonshëm rrezikonin ndjekje penale nëse sugjeronin të kundërtën. Por tani Putini ka shkelur rregullin e tij dhe ka pranuar se Rusia është në luftë.

Në mënyrë të ngjashme, Yevgeny Prigozhin, një mik i Putinit, mohoi prej kohësh se ai kishte ndonjë lidhje me Grupin e mercenarëve rusë Wagner. Megjithatë, ai ka pranuar tani se e themeloi ai grupin dhe se ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Për figurat politike si Trump dhe Putin, guximi ripërcaktohet si gatishmëri për të shkelur ligjet e shtetit nëse interesat e shtetit – ose vetë interesat e tyre – e kërkojnë këtë. Implikimi është se qytetërimi qëndron vetëm nëse ka patriotë të guximshëm që do të bëjnë punën e pistë. Kjo është një formë e qartë e “heroizmit” të krahut të djathtë. Është e lehtë të veprosh me fisnikëri në emër të vendit – pa sakrifikuar jetën për të – por vetëm njerëzit me zemër të fortë mund ta detyrojnë veten të kryejnë krime për të.

Prandaj, në vitin 1943, Heinrich Himmler, arkitekti i Holokaustit, foli për “një kapitull lavdie në historinë tonë që nuk është shkruar kurrë dhe që nuk do të shkruhet kurrë”. Pyetja ishte çfarë të bënin me gratë dhe fëmijët hebrenj. “Vendosa të gjej një zgjidhje plotësisht të qartë”, tha Himmler në një mbledhje të oficerëve SS. “Nuk e konsideroja veten të justifikuar të shfarosja burrat … dhe të lejoja hakmarrësit në formën e fëmijëve të rriten për djemtë dhe nipërit tanë. Duhej marrë vendimi i vështirë që ky popull të zhdukej nga toka”.

Por në Rusinë e sotme, ideja se mizoritë “nuk do të shkruhen kurrë” del gjithnjë e më shumë jashtë mode. Larg nga shpërfillja e ngrënies së kanibalëve, akte të tilla po përfshihen në ligj. Më 14 dhjetor, Duma Ruse (legjislativi) miratoi një projektligj ku thuhej se çdo mizori e kryer në Donenjck, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson para aneksimit të këtyre rajoneve të Ukrainës “nuk do të konsiderohet një krim i dënueshëm me ligj” nëse gjykohet se ishte “në interes të Federatës Ruse”.

Është e paqartë se si do të bëhet ky përcaktim, por është e sigurt të supozohet se të gjitha torturat, përdhunimet, vrasjet, plaçkitjet dhe vandalizmi i kryer nga forcat ruse do të justifikohen – madje do të festohen. Dikujt i kujtohet paradoksi tek Antigona e Sofokliut, ku është më e rrezikshme t’i bindesh moralit sesa të bëhesh bashkëpunëtor në kriminalitet.

“Kultura ruse”, vëren historiani Timothy Garton Ash, është bërë “viktimë kolaterale e kanibalizmit vetëgllabërues të Putinit”. Prandaj, “ka ardhur koha të pyesim nëse, duke folur objektivisht, Vladimir Putini është një agjent i imperializmit amerikan. Sepse asnjë amerikan nuk i ka bërë ndonjëherë as gjysmën e dëmit asaj që Putini e quan “bota ruse” sa vetë lideri rus”. Duke ofruar një analizë të ngjashme, gazetari kazak, Arman Shuraev, së fundmi kritikoi ambasadorin e Rusisë në vendin e tij: “Rusofobia është gjithçka që keni arritur me veprimet tuaja idiote. … Ju jeni idiotë. Jeni kanibalë që hani veten.”

Në mënyrë paradoksale, ushtrimi i transparencës së rreme të Rusisë i bën edhe më të rrezikshme mistifikimet e pushtetit shtetëror, duke gërryer ndjeshmëritë tona morale. Ajo tregon pse na duhen më shumë se kurrë figura si themeluesi i ËikiLeaks, Julian Assange. Assange është Antigona jonë. Për vite të tëra ai është mbajtur në një gjendje të pavdekur, të izoluar, në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara sepse shërbeu si spiun për njerëzit, duke bërë publike vetëm një pjesë të vogël të anës së errët të pahijshme të politikës amerikane. Edhe pse Assange mund të ketë bërë disa gjëra shumë problematike, dëshira ime për Vitin e Ri është që presidenti Joe Biden të tregojë guximin e vërtetë dhe të rrëzojë akuzat kundër tij.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Eating the Last Cannibal