Verë në Dimër. Kjo është situata me të cilën po përballen shumica e vendeve të Europës. Në Spanjë, Poloni dhe Zvicër, temperaturat e ditëve të para të janarit janë 10 deri 15 gradë më të larta se mesatarja vjetore e stinës. Temperaturat e larta të muajit janar kanë shënuar rekord në shumë vende të Europës. Si rrallë herë më parë, ditët e para të janarit në Varshavë të Polonisë temperatura arriti 18 gradë celsius, 4 gradë më shumë se mesatarja.

Në Bilbao të Spanjës 25 gradë, 10 gradë më shumë se mesatarja e viteve të fundit. Një temperaturë e tillë në Bilbalo regjistrohet zakonisht ne fund të muajit maj dhe qershor. Në Zvicër, një vend malor ku në fillim të çdo viti mbahen kampionatet botërore të skive, këtë vit edhe në zonat mbi 1500 metra nuk ka pasur reshje borë. Në disa zona ku temperaturat në këtë muaj duhet të ishin minus gradë, në ditët e para të Janarit u regjistruan dhe temperatura deri në 15 gradë. Kjo ka bërë që garat e skive të zhvillohen më borë artificiale.

Bizneset turistike dimërore kanë nisur të raportojnë humbje kolosale dhe anulime të prenotimeve për shkak të mungesës së borës. Temperatura të larta dhe jo të zakonshme për stinën janë regjistruar dhe në Gjermani, Ukrainë dhe Francë. Shumica e vendeve të Europës po regjistrojnë temperaturat më të larta në dimër që kanë regjistruar ndonjëherë. Ndërsa Europa po përballet me rritje të temperaturave në mes të dimrit, Amerika e Veriut ndodhet në një prej stuhive më të ftohta të viteve të fundit. Nju Jorku, Teksasi dhe shumë shtete në Ameriknë kanë regjistruar temperatura që shkojnë deri në minus 35 gradë. Acari dhe ngricat kanë shkaktuar bllokim të miliona qytetarëve dhe mungesë të energjisë elektrike.