Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas nisjes në hapësirë të raketës Falcon 9 me dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes dy satelitët do të përdoren për një periudhë 3 vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.

‘Raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6, e cila transporton edhe Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u lëshua në hapësirë nga stacioni në Cape Canaveral, Florida, sot në orën 9:56 me orën lokale, 14:56 me orën në Tiranë.

Dy satelitët lëshohen në kuadër të kontratës se shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc., me vlerë 6 milion dollarë.

Në bazë të kontratës dy satelitët do të përdoren për një periudhë 3 vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.

Ky shërbim do tju mundësojë institucioneve përfituese marrjen e Imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh dhe gjeoinformacioni për vendimmarrësit dhe planifikuesit si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për politika dhe vendimmarrje efektive.’- njofton ministria e Mbrojtjes.