Nga Mero Baze/

Nga të gjitha sondazhet e deritanishme për Tiranën, bie në sy se brenda opozitës ka një elektorat nga 8 deri 10 për qind kundër Berishës, edhe pse janë të pa përfaqësuar ende me një kandidat. Formalisht i përkasin grupimit të PD zyrtare drejtuar nga Alibej, por realisht ai është një elektorat antiberishë brenda opozitës që mund të ketë shifra edhe më të mëdha nëse qartësohet lidershipi i PD zyrtare dhe strategjia e saj për këto zgjedhje. Mbi të gjitha nëse ata kanë një kandidatë serioz për Tiranën.

Kam parë disa opinione të përcipta rreth rëndësisë që ka përfaqësimi me kandidat për këtë elektorat në Tiranë. Një teori është që Berishë si duhet fusha e lirë që të humbas dhe të mos ketë kë të fajësojë më pas. Berisha është e sigurt që humbet edhe nëse kandidojnë rivalët e tij në opozitë edhe nëse rijnë në shtëpi. Ndryshimi është se ai do duket sikur do marrë disa vota më shumë në mënyrë të padrejtë që prap nuk i bëjnë punë. Dhe pas humbjes, ata që nuk kanë kandiduar nuk kanë çfarë llogarie ti kërkojnë se ai nuk i konsideron as tani e jo më pas zgjedhjeve. Pra është një qëndrim pa vlerë. Thjeshte i lë fushën bosh Berishës për tu dukur pak më i fort se sa është në të vërtet.

Opinioni tjetër për të kandiduar dikë sa për të pasur një emër është po aq i gabuar. Një kandidat në Tiranë që ende nuk ka emër dhe fytyrë por vetëm si opsion dhe ka rreth 10 për qind të elektoratit në dispozicion, është një mundësi unike që një figurë e rëndësishme politike e opozitës, nga ata që e kanë ndarë mendjen që do jenë në betejë me Sali Berishën në afatgjatë duhet të vërë emrin.

Të kesh dhjet për qind në dispozicion pa filluar, në një situatë të tillë politike në Tiranë, dhe ta shpërdorosh duke vënë emra të listës së dytë është marrëzi.

Sot vendimtarë në politikën shqiptare do të jetë ajo figurë e opozitës që ka dhjet për qind vota jashtë Berishës. Ajo mund të ul në gjunjë dhe Berishën dhe Ramën. Dhe ta lësh këtë mundësi për njerëz anonimë, sa për tu dukur sikur po bën garë është marrëzi. Ajo është një ofertë që publiku e ruan për ata emra që beson se janë vërtet afatgjatë në politikë dhe jo ata që duan të dalin në TV si kandidatë.

Është betejë për ata që duan të mbeten në politikë jo ata që duan të marrin rrogën si politikan.