Nga Frrok Çupi/

Çudi e madhe është kjo puna e parasë dhe e dheut. Jo dheu mund të sundojë mbi paranë, por paraja i çon në dhè edhe shokët edhe vendin. Kjo është vija e ligjësive.

Foton e gjeta mes shumë syresh, pa patur në mendje se po kërkoja një send ‘të caktuar’. Pastaj nisa të mendoj se është foto e vitit ’96 të shekullit të kaluar. Për dreq ka ndodhur që të jetë stinë kujtimesh, e kjo m’i bëri të neveritshme edhe fotot e ‘arkës’ sime, njësoj si kujtimet.

Më mundojnë pyetjet se ç’u bënë këta njerëz?, ku janë?, çfarë ligësish e çfarë zero- things bëjnë?…

Nuk e harroj kurrë intervistën e Ridvan Peshkëpisë. Ai ka qenë student i Dhjetorit, deputet i PD, pinjoll i Peshkëpive anti- komunistë, poet; e tani është profesor në Universitete të Perëndimit, si dhe kontributor në filozofinë e Shoqërisë Post- Ideologjike… Të kthehem te intervista e Ridvanit: Gazetari televiziv e pyet: ‘Çfarë na thoni për atë periudhë, ju keni qenë … (kështu e ashtu)… në PD”. Si u përgjigj Ridvani?

“Nuk e mbaj mend”, tha.

Kush e ka nderin dhe mençurinë të ndahet prej asaj krijese që edhe sot e kësaj dite trazon ujërat dhe gjakrat; këta janë të pakët. Nuk është ndarë akoma, për shembull, Sandër Frangaj. Kur ka dalë në këtë foto, para tre vjetësh kishte dalë nga burgu, i kishte thënë vetes ‘larg Berishës’, por pastaj hyri prapë në vath. Ama nuk i ndahet këmba nga Berisha. Nuk mund të them se ‘nuk i ndahet shpirti’, sepse njerëzit e pasuruar ashtu nuk kanë shumë shpirt. Nikollë Lesi, si xheloz ndaj pasurimit të Sandrit, e thotë fshatçe se ‘i lumtë, qe i zgjuar, e ndoqi paranë’.

Edhe Neritani, veçse nuk është pasuruar aq shumë, por në radhë të parë e ke kurdoherë. Edhe në këto foto- në radhë të parë është. Veçse orientohet gabim, në të gjitha kohët- gabim; edhe pse një historian i njohur publikisht. Tani që Berishës i ka ardhur fundi e ‘po piqet në tenxhere’, ky shkon i rri pranë tenxheres së Berishës. A del gjë më nga ajo krijesë shkrumb e hi?, veç një zot e di.

Arben Imami, eksponenti i të gjitha qeverive, që nga Ismail Qemali dhe Qemal Ataturku e këndej, me siguri e di çfarë del. Ai tani është i përbetuar të jetë i lidhur me Sali Berishën; ndoshta jo thjesht për paratë e sotme, por për ato që ‘u kryen, bacë’. Ndoshta edhe pse ndodhet në të njëjtën ‘tenxhere gjyqësore’ me vjedhjet e të bijve të Berishës. Por kur nuk ishin këto lidhje, edhe Beni si të gjithë këta që ndodhen në foto, mori ‘fjalën e mori harkun, e mori tankun’ kundër Berishës.

Çudi e madhe është kjo puna e parasë dhe e dheut. Jo dheu mund të sundojë mbi paranë, por paraja i çon në dhè edhe shokët edhe vendin. Kjo është vija e ligjësive. Krijesa PD, e sidomos krijesa Berishë, provoi se mund të çojë në dhè vetë fatin e vendit. Çfarë situatë- monstre më shfaqet para syve edhe përmes këtyre fotove. Më vjen keq vetëm pse është stinë kujtimesh dhe boshllëku.