Një tjetër sukses i madh, një tjetër natë magjike, një tjetër hap përpara drejt objektivit titull. Napoli është thjesht i papërmbajtshëm, askush nuk arrin të ndalë ekipin e Spallettit, nuk e bëri diçka të tillë as Roma e Jose Mourinhos, me verdhekuqtë që dalin duar bosh nga “Maradona”.
Pas javës së 20-të e shohin veten të shkëputur 13 pikë nga Interi i vendit të dytë, një rekord absolut ky, pasi asnjë ekip në Serie A nuk kishte një avantazh të tillë pas javës së 20-të që kur një fitore vlerësohet me tre pikë.
Tifozët shijojnë një super Osimhen, nigeriani edhe këtë herë ishte protagonist kryesor duke realizuar një gol fantastik në minutën e 17-të. Roma u rikthye në lojë në të 75-ën me El Shaarawy që barazoi shifrat pas një rrëmuje në zonë. Napoli mund të ishte komod edhe me një pikë, por në minutën e 85-të, Simeone i hedhur në fushë si zëvendësues dërgoi topin në rrjetë, një finalizim plot klas që i dhuroi Napolit tre pikët:
“Është vetëm Napoli”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë. “Një tjetër mrekulli për titullin, Napoli arratiset, plus 13”, shkruan ndër të tjera La Gazzetta.