Teleskopi hapësinor TESS i Agjencisë Amerikane të Hapësirës ( NASA ) ka zbuluar një tjetër ekzoplanet të ngjashëm me tonin. Ky është TOI 700e, i cili ndodhet në një distancë prej rreth 100 vite dritë dhe është sa 95% e madhësisë së Tokës , domethënë është pak më i vogël, ndërsa sipas pamjeve është edhe shkëmbor.
Kjo “Tokë e dytë” duket se po rrotullohet rreth yllit të saj (një xhuxh i kuq i vogël, relativisht i ftohtë i tipit M) në një distancë të përshtatshme për ekzistencën e ujit të lëngshëm dhe zhvillimin e jetës. Astronomët kishin zbuluar më parë tre planetë në të njëjtin sistem, TOI b, c dhe d. Ky i fundit gjithashtu lëviz në një perimetër që e bënë të mundur jetesën dhe i ngjan Tokës.
Studiuesit, të udhëhequr nga astronomja Emily Gilbert e Laboratorit Jet Propulsion të NASA-s (JPL) në Kaliforninë Jugore, e bënë njoftimin në një konferencë të Shoqatës Amerikane Astronomike në Seattle dhe një botim në revistën e astrofizikës “The Astrophysical Journal Letters”.
“Ky është një nga sistemet e pakta me shumë planetë të vegjël dhe potencialisht të banueshëm që ne njohim. Kjo e bën sistemin TOI 700 jashtëzakonisht të përshtatshëm për studime të mëtejshme. “Planeti e është rreth 10% më i vogël se planeti d, kështu që rezulton se vëzhgimet shtesë me TESS na lejojnë të gjejmë botë gjithnjë e më të vogla”, tha Gilbert.
Ylli TOI 700 ndodhet në konstelacionin jugor të Dorados dhe në vitin 2020 u zbulua rreth tij ekzoplaneti d i ngjashëm me Tokën (dhe 20% më i madh se ai). Planeti më i brendshëm b, i cili është 90% i madhësisë së Tokës, atij i duhen dhjetë ditë të bëj një rrotullim të plotë rreth yllit të tij mëmë. C është 2,5 herë më i madh se Toka dhe i duhen 16 ditë për të kryer udhëtimin e tij të plotë, d ka një viti prej 37 ditësh, ndërsa e ka 28 ditë.
TESS (Transiting Exoplanet Survey Satellite) u lançua në prill 2018 dhe tani është gjuetari kryesor i ekzoplaneteve të NASA-s, pasi ka zbuluar 285 ekzoplanete të konfirmuara dhe më shumë se 6,000 kandidatë deri më sot.
Vëzhgimi i sistemit TOI 700 me TESS, si dhe teleskopë të tjerë me bazë në tokë dhe hapësirë, vazhdon. Sistemi TOI 700 është i dyti me shumë interes për astronomët pas sistemit më të afërt Trappist-1 në një distancë prej 39.5 vite dritë nga Toka, i cili ka shtatë planetë që kanë ngjashmëri me sistemin tonë diellor.