Fatmir Laçej, nënkryetar i Dhomës Kombëtare të Noterëve, ka bërë së fundmi një reagim publik në lidhje me emisionin që u transmetua në “Top Channel” për Luiz Ejllin, i cili bëri bujë madhe.
Në një shkrim në profilin e tij në rrjetet sociale ku ka sqaruar arsyen e vërtetë se pse iu hoq licensa e noterit Luizit. Ndër të tjera Laçej thekson se intervista ka qenë shumë më e gjatë nga sa u transmetua.
REAGIMI I PLOTË: Të dashur fansa të Luizit… E ndjej të domosdoshme të bëj një sqarim. Qëllimi im në intervisten e dhënë ka qenë pozitiv. Të nxjerr në pah vlerat e Luizit dhe të sqaroj marredhëniet e tij me ushtrimin e profesionit të noterit. Në intervistën time kam theksuar se në momentin e ndarjes së licencave në Ministrinë e Drejtësisë kam dhënë disa porosi për të gjithë të licensuarit.
Të gjithë i pritën mirë por ishte Luizi që më ndaloi dhe më përgëzoi e falenderoi për këshillat e dhëna dhe në sytë e këtij djaloshi unë pashë entuziazmin, pasionin e përgjegjësinë për detyrën e re që po merrte.
Po ashtu kam theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës, Luizi si noter nuk ka pasur aspak probleme. Kam sqaruar se Luizit i është hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë vetëm për faktin se per një periudhë të përsëritur 60 ditore nuk e ka mbajtur zyrën hapur, gjë e cila është në kundërshtim me nenin 63 të ligjit ” Për Noterinë”.
Po ashtu kam theksuar se në komunitetin tonë ne kemi shquar Luizin si një djalë simpatik që ndjellte gëzim në çdo mjedis tonin. Intervista ime ishte e gjatë me pyetje përgjigje dhe nuk e kuptova përse ishte reduktuar ne 2 – 3 fjali dhe për më tepër në vazhdim të qëndrimit të intervistës së dhënë nga i intervistuari i mëparshëm. Është e drejtë e redaksisë së televizionit të reduktojë intervistën ashtu siç është e drejta ime ta paraqes atë ashtu siç e kam dhënë.