Për dekada të tëra ka qenë, dhe ndoshta vijon të jetë, linja më e famshme hekurudhore në botë, një udhëtim romantik përmes Europës, që ka frymëzuar edhe shkrimtarë e regjisorë në punën e tyre. Por brenda pak vitesh, Orient Express do të “pushtojë” detet.
Orient Express Silenseas, anija e parë me vela me këtë emër, është prezantuar së fundmi nga kompania franceze “Accor”. Anija 220 metra e gjatë parashikohet të nisë udhëtimin e saj të parë në pranverën e vitit 2026 dhe është frymëzuar nga epoka e artë e Rivierës Franceze. Sipas “Accor”, ajo do të jetë anija me vela më e madhe në botë.
Anija do të ketë vend për 120 udhëtarë, të ndarë në 54 suita, që kulmojnë me suitën presidenciale, një hapësirë prej 1415 metrash katrorë. Gjithashtu anija do të ketë dy pishina, dy restorante, një bar, si dhe një amfiteatër ku të ftuarit mund të shohin shfaqje të ndryshme.
Anija do të punojë përmes një formule hibride, që kombinon energjinë e erës me gazin natyror të gjendje të lëngshme. Pjesa e brendshme e anijes do të dizajnohet nga arkitekti francez Maxime d’Angeac, ndërsa arkitektura e jashtme do të merret përsipër nga një tjetër kompani franceze, Stirling Design.
“Me Orient Express Silenseas, nisim një kapitull të ri në historinë tonë, duke e zbritur në det përvojën e udhëtimeve luksoze”, thuhet në dkelaratën për media të CEO-s së “Accor”, Sébastien Bazin. “Ky jaht i jashtëzakonshëm, që i ka rrënjët në historinë e Orient Express, do të ofrojë shërbime të jashgëzakonshme dhe hapësirë të të rafinuara, që do të rikthejnë edhe një herë epokën e artë të kroçierave mitike”.