Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi theksoi sot se “do ndërtojmë qendrën operacionale të mbrojtjes kibernetike”. Në konferencën për shtyp për prezantimin e arritjeve të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë vitit 2022 dhe objektivat për vitin 2023, Peleshi tha se “kjo qendër do të jetë funksionale, e plotësuar, i gjithë stafi dhe i mirë trajnuar falë partneritetit me SHBA, por edhe anëtarësimit të plotë në Qendrën e Ekselencës së Sigurisë Kibernetike të NATO-s që ndodhet në Estoni”.

“Kemi filluar bashkëpunimet me këtë qendër, por 2023 do të jetë viti kur anëtarësimi do të jetë i plotë, do të jemi pjesë, kontribues, por edhe përfitues të kësaj qendre”, tha Peleshi. Në fjalën e tij, Peleshi tha se “po mundohemi ta zhvillojmë partneritetin me SHBA-në me projekte konkrete, ndaj viti 2022 është viti rekord i projekteve me SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si sa i përket numrit të projekteve ashtu edhe buxhetit të përbashkët, pasi shumë prej projekteve janë bashkëfinancim. Ka një kontribut jo vetëm ekspertize, por edhe financiar në projektet tona të sigurisë e mbrojtjes”.

“Një prej tyre është siguria ushtarake e mbrojtjes kibernetike, e cila ka marrë një peshë të re për shkak të sulmeve kibernetike”, tha Peleshi. Ministri Peleshi u shpreh se “ne e patëm filluar punën para tyre i kemi paraprirë kësaj situate. 2023 do të jetë viti kur njësia ushtarake e mbrojtje kibernetike do të ketë plotësuar 100% kapacitetet e veta njerëzore. Jemi në një proces rekrutimesh, kemi ndryshuar strukturën e kemi trefishuar numrin e kapaciteteve në strukturë kemi rritur pagat, i kemi bërë fleksibël, pasi ju e dini burokracia shtetërore nuk të lejon të dalësh nga kategoritë e pagave të caktuara, por për specialistët e fushës së IT dhe sigurisë kibernetike po aplikon një regjim të veçantë fleksibël dhe kompetitiv”, nënvizoi Peleshi.

Sipas tij, në tregun e punës specialistët IT janë profesionet më të kërkuara dhe më të mirë paguara.
“Ata mund ta shesin veten edhe përtej kufijve pa pasur nevojë të lëvizin nga Shqipëria, pasi shumë shërbime ofrohen online. Kemi vendosur që të kenë paga me të mira se edhe privati. I kemi rritur ndjeshëm vendet e punës”, tha Peleshi.