Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Paskal Milo thotë se SHBA po luan një rol të madh në Shqipëri, kryesisht për zbatimin e reformës në drejtësi.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Milo u shpreh se SHBA është nismëtarja dhe mbështetësja më e madhe e kësaj reforme. Sipas tij, deklaratat e ambasadorëve amerikanë në vend, nuk duhet të merren si deklarata personale.
“Roli i madh që kanë luajtuar dhe po luajnë SHBA-të në zbatimin e reformës në drejtësi. SHBA-të janë nismëtarët, mbështetësit më të mëdhenj të saj, së bashku me BE, por në radhë të parë janë SHBA-të.
Përgjegjësia e SHBA-ve për zbatimin e reformës në drejtësi, është e tillë që i jep ambasadorit amerikan një pushtet goxha të madh për ta ndjekur.
Reforma në drejtësi ka ecur, mund të ecte më mirë. Nuk duhet t’i marrim veprimet, deklaratat e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri, si deklarata personale. Janë zëdhënës të politikës zyrtare amerikane, konkretisht DASH-it”, theksoi ai.