Gjithkund në atë parti, ikin, largohen, zhurmohen, zihen, afrohen dhe sërish duket sikur mbështetin njëri-tjetrin. Por problemi mbetet. Ai është aty mes tyre, mes tyre dhe kryetarit de facto dhe de jure, mes tyre dhe “atij” që nuk dorëzon vulën, mes tyre dhe kandidatëve të “primareve” të ish-liderit. Shkurt, PD, është kthyer si “bordet e kullimit”, që kanë Prefekturat e vendit. Ata merren me digat, kanalet vaditëse, me mbingopjen e tyre me ujrat e shirave, ata merren me përmbytjet, ata merren madje edhe me zjarret.. Por nuk merren me vehten, pasi kanë akoma se ç’të korrigjojnë.
Ashtu ndodh edhe me Partinë Demokratike. Fushata thuajse ka nisur, dhe emrat e firmosur (ato të primareve) nga Berisha, kanë nisur të dalin rrugicave të qyteteve, fotografojnë dhe filmojnë “grumbuj me plehra” (në mos i sajojnë vetë) dhe nisen me vrap ti nxjerrin në fb. Rrjetet sociale, mbeten e vetmja rrugëshpëtimi për ata do të nisin dhe bitisin fushatën elektorale. U kërkojnë njerëzve “na bëni “like” dhe comente aman”, dhe thurrin skenare me “40 apo 50 per qind rritje votash mbi kandidatin e PS”.
Pra, deri në 14 Maj, kandidatët e “primareve”, do të kenë marrë 110 per qind të votave dhe do të rezultojnë “fituesit e bashkive”. Të bindur se do të ndodhë e kundërta, ata e kanë gati materialin filmues dhe fotografues, dhe do të thonë “na vodhën, na i blenë votat, kishim rrjedhje votash dhe manipulime”. Tamam llogjika e përdorur si në “bordet e kullimit” në Prefektura, gjatë dimrit në kohët me shi. Asnjëherë nuk e kam kuptuar, pse Berisha kënaqet me humbjen, pse ndjehet mirë kur humbet zgjedhjet. Ndoshta nga shkaku i kënaqësisë që ka, kur nis dhe mbron mohimin e rezultatit, apo protestat në “mbrojtje të votës së lirë”. Dhe dihet sa zgjat procesi mohimit, “denoncimit dhe akuzave ndaj vjedhes së votave”. Sërish pas 14 Majit, në çdo qytet, do të dalin kandidatët e “primareve” dhe do të shpallin fillimisht “fitoren në shkallë vendi në PD”, dhe pastaj “fitoren e bashkisë tyre”. Fillimisht mendoja se, me nisjen e procesit të “Rithemelimit” zoti Berisha do të vepronte ndoshta për herën e parë në jetën e tij politike, ashtu siç veprojnë burrshtetasit e Europës.
Humbjen dhe largimin ata, e kthejnë në avantazhin e madh për forcën e tyre politike. E demokratizojnë, e moderojnë, e bëjnë më të hapur dhe më të lirë, duke u hapur rrugën të rinjve, atyre që janë e ardhmja e partisë. Por rikthimi dhe mosndryshimi i asgjëje nga zoti Berisha, më krijoi shijen e hidhur të një klime aspak pozitive, e rikrijuar brënda asaj partie. Duket sikur brënda saj, është viti 1996, apo 1997, dhe gjithçka ka mbetur e pandryshuar, si partia ashtu dhe kryetari i saj historik. Madje, edhe kandidatët e “primareve”, vijnë, raportojnë dhe largohen nga selia, njëlloj si 20-25 vite më parë. Të bindur, kokëulur, dhe zbatues perfekt të porosive dhe urdhërave të Berishës. Njëlloj si “bordi kullimit” raporton para Prefektit në ditë dimri…