Të dërguarit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni pritet të qëndrojnë ditën e sotme në Kosovë dhe Serbi.
Trupi diplomatik do vijojë përpjekjet për të nxitur bisedimet ndërmjet palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e propozimit evropian që u i njohur si nisma franko-gjermane.
Propozimi mes tjerash synon të sigurojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Kosova aktualisht po përballet me trysni ndërkombëtare në mënyrë që të hedhë hapa për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, një ndër çështjrt me të diskutuara dhe përflitet se është kyçe për dialogun Beograd-Prishtinë.
Diplomatët perëndimorë po kërkojnë nga Kosova që të hartojë një propozim për mënyrën e funksionimit të këtij asociacioni.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha javën e kaluar në Vjenë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Kushtetuta e Kosovës, i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe në bazë të planit të ish të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari.
Ditën e djeshme, në një intervistë nga REL duke folur një ditë para vizitës së pesë diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë, këshilltari i DASH tha se ky është një moment i rëndësishëm dhe shfaq shpresën se do të ketë përparim në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai shtoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet, por theksoi se “Asociacioni në formën e Republikës Srpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do ta lejojë.”
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në zgjidhjen me anë të një kompromisi.