Pas 15 fëmijëve që kanë marrë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” vitin e kaluar, edhe pesë fëmijë të tjerë e përfituan këtë status në ceremoninë e organizuar në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu,
Të pesë fëmijët janë bijë të policëve të rënë gjatë ushtrimit të detyrës, respektivisht dy fëmijët e Shkëlzen Dobrushit, vajza e Roland Likajt, si dhe vajza dhe djali i Artan Cukut, të cilët nuk mund të ishin dot të pranishëm në ceremoni.
Gjatë takimit me fëmijët e Shkëlzen Dobrushit dhe Roland Likajt, Kryeministri u shpreh se: “ Ne kemi diskutuar se nuk mund të kemi këtë ndihmë modeste si ajo që ishte sepse janë fëmijë që humbasin një prind, i cili është në punë de ka një pagë që e sjell në shtëpi. Ne duam ta bëjmë plus pagën, në mënyrë që të paktën në pikëpamjen ekonomike të mos kenë asnjë mungesë dhe për sa i përket arsimit ato janë ekstra. Mbase kjo është pak e vonuar po jo të gjitha gjërat ne i dimë, edhe i mësojmë rrugës si t’i bëjmë më mirë. Edhe sikur të jetë pesëfishë kjo pagë nuk e mbush dot boshllëkun shpirtëror, por besoj që fëmijët kanë vetëdijen që duhet ti nderojnë deri në fund baballarët, ashtu siç janë krenar për baballarët e tyre, t’i bëjnë edhe ata të buzëqeshin.”
“Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” do të përfitojnë bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas.
Po kështu përfitojnë bursë të plotë nga fondi i mbështetjes studentore dhe janë të përjashtuar nga tarifa vjetore në institucionet publike të arsimit të lartë.
Nga ana tjetër, ata përfitojnë edhe të drejtën e orientimit profesional falas dhe mbështetje për punësim në administratën publike ose biznesin privat.