Milan humbi 2-5 me Sassuolon në “San Siro” për javën e 20-të në Serie A, duke u pozicionuar në pozitën e katërt momentalisht, teksa rrezikohet zona Champions. Për katër ndeshjet pa fitore dhe humbjen e pozitave në renditje foli edhe trajneri i Milanit, Stefano Pioli.
“Paraqitjet e fundit na dërgojnë në situatë të vështirë, por kjo duhet të më shtyjë të kuptoj se situata të caktuara duhen kthyer në favor. Ne duhet të reagojmë, ndoshta nuk do të jemi në gjendje ta fitojmë titullin përsëri, Scudetto-ja jonë do jetë të luftojmë për zonën e Champions League dhe ne kemi mundësinë ta arrijmë këtë qëllim përsëri”, tha fillimisht Pioli.
I pyetur nesë problemi është taktik, teknik apo psikologjik, Pioli u shpreh se pas një disfate e kanë të vështirë të ringrihen.
“Meqenëse nuk fituam ndaj Romës, nuk kemi mundur të tregojmë në fushë paraqitjet tona më të mira. Dy ditët e fundit të stërvitjes kanë qenë më të mirat, por sapo marrim një shuplakë, e kemi të vështirë të reagojmë. Megjithatë, këto momente mund të kapërcehen vetëm duke punuar së bashku. Unë e kuptoj që nuk mund të ketë atë lehtësinë e mëparshme, por kjo do të thotë se duhet të punojmë me më shumë bindje sepse kemi ende shanse për të arritur në pozitën e Champions League”, tha Pioli mes të tjerash.