Një autobus me shqiptarë të kosovarë që po udhëtonte drejt Gjermanisë, është sulmuar me gurë në Serbi. Sipas mediave të Kosovës sulmi ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, para se autobusi të hynte në aksin Nish-Beograd.

Sulmi është konfirmuar nga vetë kompania që po kryente udhëtimin, “Fadili Tours” e cila ka thënë për ‘Nacionale’ se nuk ka asnjë person të lënduar.

“Sulmi ka ndodhur në Serbi. Rasti është i vërtetë dhe të gjithë udhëtarët janë mirë dhe nuk ka të lënduar, nuk e dimë saktë se në cilin vend janë sulmuar. Janë duke i përfunduar disa procedura ligjore, dhe udhëtimi do të vazhdojë”, ka qenë reagimi nga kompania.

Nga disa foto të publikuara nga mediat, shihet që autobusi është qëlluar me gurë, ku xhami i përparmë është dëmtuar. Ende nuk dihet motivi i këtij sulmi.