Në Porto Romano në Durrës, krahas portit të ri, do të ketë edhe një port ushtarak i cili do të ndërtohet me mbështetjen e NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot në konferencën për mediet se një ndër pikat e diskutimit me gjeneralin suprem të NATO-s ka qenë dhe mundësia e mbështetjes nga NATO të portit ushtarak pranë portit të ri të Porto Romanos.

“E kemi ofruar këtë porti si një kapacitet dhe strukturë të NATO-s dhe duam që të ndjekim pa a shumë modelin e Kuçovës. Duam që ky port jo thjeshtë të mbështetet financiarisht nga NATO dhe partnerët tanë, por edhe të marrë një peshë të rëndësishme në rajon”, shtoi Peleshi.

Ai tha se Korridori i 8-të është nyja që lidh portin e ri në Porto Romano me Detin e Zi dhe Deti i Zi është deti më i trazuar së fundmi dhe këto zhvillime e sjellin portin e Durrësit në një rëndësi shumë të madhe strategjike.

Peleshi tha se në fund të janarit do të kemi takime shumë të rëndësishme jashtë Shqipërisë dhe do ta ngrejmë përsëri çështjen e portit të Durrësit që ti’ japim jetë sa më shpejt këtij projekti.

Ministri theksoi se gjatë dizenjimit të këtij projekti do të asistohemi nga ekspertiza e NATO-s.