Një ditë pas deklaratave të tij të diskutueshme në RMC Sport, Noël Le Graët, president i Federatës Franceze të Futbollit, i kërkoi falje Zinedine Zidane, i vetëdijshëm për gabimin që ka bërë këtë të diel duke mos e respektuar legjendën e Francës. Le Graët mori një valë kritikash për fjalët e tij, përfshirë edhe nga Mbappé, i cili shpërtheu në Twitter, duke siguruar se “një legjendë e Francës nuk mund të mos respektohet kështu”. Një ditë pasi njoftoi rinovimin e Deschamps deri në vitin 2026, presidenti i organit më të lartë të futbollit francez u shpreh se “nuk i intereson” nëse Zidane stërvit skuadrën braziliane. Ai tha gjithashtu se “nuk do ta kishte hapur telefonin” nëse Zizou do ta kishte telefonuar për ta pyetur për postin e trajnerit të Francës.
“Këto komente të sikletshme kanë krijuar një keqkuptim. Do të doja të kërkoja falje personalisht për këto komente që nuk pasqyrojnë aspak mendimet e mia, as konsideratën time për lojtarin që ishte dhe trajnerin që është bërë”, tha presidenti i federatës në një shënim dërguar AFP-së. Media të ndryshme franceze, përfshirë “L’Equipe”, i cilësuan “Të papranueshme” këto deklarata, duke e e kritikuar ashpër presidentin e Federatës. Edhe Oudéa-Castéra, ministre e Sporteve, reagoi ashpër ndaj Noël Le Graët, vetëm një ditë para auditimit që do të kryejë Ekzekutivi për të përcaktuar nëse ka pasur abuzime seksuale gjatë mandatit të tij. Le Graet i kërkoi falje Zidanit në një nga momentet më kritike të mandatit të tij, i cili mbyllet në vitin 2024