Sot presidenti i Kroacisë Zoran Millanoviq ka shkuar një hap më tutje me deklaratat e tij provokuese dhe absurde. Kësaj radhe ka atakuar pavarësinë e Kosovës duke u bërë altoparlant i Serbisë. Duke folur para gazetarëve gjatë qëndrimit në Petrinje të Kroacisë qendrore, Millanoviq tha: “Derisa nuk e kuptoni se Serbia dhe Rusia nuk janë të njëjta, ky është fakt i dhimbshëm dhe rrezik. E kemi aneksuar Kosovën. Ne dhe bashkësia ndërkombëtare. I është marrë Serbisë (Kosova).
Kush e ka bërë këtë? A e kemi pranuar Kosovën? Nuk është aneksim, është grabitje. Si quhet kjo? Ekstarkim? Jo buka, po kulaçi. Me këtë nuk vihet në pyetje Kosova, por krejt koncepti”.
Millanoviq prej kohësh provokon me deklarata kundër Ukrainës, kundër NATO-s, kundër BE-së, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundër boshnjakëve. Pas deklaratës së tij të sotme kundër pavarësisë së Kosovës, Millanoviq është shndërruar në yll të mediave të Serbisë të cilat kontrollohen nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Krejt mediat proqeveritare serbe e kanë botuar lajmin se Millanoviq, më në fund, e paskësh pranuar se bashkësia ndërkombëtare ia ka grabitur Kosovën Serbisë.